Presidenti i Laçit, Pashk Laska është i bindur se arbitrat këtë sezon nuk kanë pasur ndikim në rezultatin e ndeshjeve, të paktën në ndeshjet e skuadrës së tij. në një prononcim për ‘VipSport.al’, Laska shprehet se shoqata e arbitrave është e pavarur dhe siguron se kjo ndërprerje e kampionatit nga bojkoti, nuk do të ndikojë në garë.
A iu duket i drejtë vendimi i arbitrave për të bojkotuar kampionatin?
Nuk kam çfarë them unë për to pasi nuk më takon mua të komentoj vendimet e tyre. Ata kanë menduar se bojkoti është më i mirë dhe ashtu kanë vepruar.
Sa ndikim mendoni se kanë arbitrat në kampionat?
Te unë nuk kanë pasur ndikim arbitrat dhe në ndeshjet e Laçit. Për ekipet e tjera, nuk kam çfarë them dhe nuk më intereson.
A është shoqata e tyre e pavarur?
Përderisa quhet Shoqatë e Pavarur, mendoj se është e pavarur. Klubet njëherë nuk kanë lidhje me to dhe nuk mund të komandojnë, po as vetë Federata Shqiptare e Futbollit nuk besoj se i komandon. Unë flas nga logjika pasi thonë se janë të pavarur. Se çfarë bëhet më tej, nuk kam informacion.
A mund të ndikojë shtyrja për ndonjë klub që ka shumë dëmtime?
Nuk besoj se ka ndikim pasi disa riaftësohen, ndonjë tjetër dëmtohet. Kështu shkon kjo punë. /VipSport/