Kur flasim për futbollin mund të themi me siguri së është sporti më i ndjekur në botë. Fëmijët ëndërrojnë të bëhen futbollista si Cristiano dhe Messi por a është një sport i dëshiruar dhe për gjininë femërore?
Për të folur për këtë temë kemi përzgjedhur Paula Jakun, futbollisten shkodrane që po shkëlqen në këtë sport ditë pas dite. Ajo luan për ekipin Juban Danja dhe për kombëtaren e femrave në Shqipëri.
Futbolli i femrave përhapet në botë çdo ditë e më shumë.
E kontaktuar nga “Urbanus blog” ajo tregon historinë e saj drejt suksesit duke punuar fort për të arritur ëndrrat e saj.
Si lindi pasioni yt për futbollin dhe a ka qenë ky një sport që e keni ëndërruar që fëmijë?
Fillimet ishin në shkollë si cdo fëmijë që luante lojra të ndryshme por më vonë babi im vendosi që të hapte një kalceto afër shtëpisë tonë dhe keshtu erdhi ideja që të krijonte edhe ekipin e parë të futbollit të femrave në Shqipëri.
Por nuk e kisha menduar kurrë që do isha një futbolliste në të ardhme dhe jam shumë e lumtur që kam zgjedhur këtë rrugë.
Si kanë qenë fillimet e karrierës suaj pra si ishin hapat e parë drejt suksesit?
Në vitin 2005 kur u hap ekipi unë isha një nga vajzat më të vogla dhe shpesh herë më duhej të qëndroja duke vëzhguar vajzat e tjera që kishin moshë madhore edhe pse dëshira ime ishte të aktivizohesha.
Pavaresisht kësaj unë kam ndjekur çdo ndeshje të tyre deri kur erdhi momenti të aktivizohesha në kampionatin shqiptar të futbollit të femrave ku isha vetëm 12 vjece dhe mbaj mend që në atë moshë kam shënuar dhe golin tim të parë.
Si ndikoi zgjedhja juaj e futbollit tek njerëzit afër jush pra keni pasur kritika, mospëlqime nga familjarët ose të afërmit tuaj?
Familja normalisht e ka përkrahur siç u shpreha më sipër që babi e krijoi ekipin dhe në fillim luante mami më pas motra dhe tani e vazhdoj unë.
Por natyrisht që njerëzit për rreth kanë pasur shumë paragjykime aq më tepër që ne jetojmë në Fshatin Juban të Shkodrës dhe paragjykimi ishte dyfish më i vështirë por me kalimin e kohës u zbeh dhe tashmë them që fshati Juban ndihet krenar për ekipin tonë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tende?
Normal çdo profesion ka vështirësitë e veta. Besoj që për çdo sportist momenti më i vështirë është të jetë i dëmtuar dhe mos të japi kontributin e tij për ekipin.
Ju shohim tashmë duke punuar me fëmijët e vegjël. A e ke menduar ndonjëherë veten trajnere në të ardhmen?
Tashme ekipi Juban-Danja ka krijuar ekipin zinxhir U13 dhe unë jam aktivizuar si trajnere duke qenë se së fundmi kam marrë edhe liçensën UEFA B.
Padiskutim është një nga synimet e mija kryesore që të jem një trajnere dhe po punoj fort për këtë. Pse jo edhe e kombëtares shqiptare të futbollit për femra.
Keni pasur oferta nga ekipet e huaja ose mundësi konkrete për të hedhur një hap të madh në karrierën tënde?
Po kam pasur oferta te ndryshme por primare është shkolla, mendoj që duhet ti marr gjërat shtruar dhe të jem me këmbë në tokë. Ndoshta në një të ardhme edhe mund të provoj ekipet jashtë.
Na flisni pak për synimet ose planet e juaja në të ardhmen?
Synimi im është të përfundoj universitetin pasi aktualisht jam në vit të dytë për edukim fizik dhe sporte. Ndërkohë të merrem me ekipet e moshave.
Një mesazh motivimi për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën tuaj?
E vetmja gjë që mund t’ju them është të ndjekin ëndrrën e tyre pavarsisht sa vështirësi ka ose cilës gjini i përket.
Dhe më e rëndsishmja të aktivizohen sa me shumë në sporte të ndryshme për shëndetin e tyre cfarëdo lloj sporti të jetë ai.
Faleminderit Paula, për këtë intervistë ekskluzive dhe interesante, që zhvilluam së bashku. Suksese
Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shumë suksese.