Paula Jaku, një nga futbollistet më të mira dhe më të njohura në vendin tonë ka qenë e ftuar së fundmi në studion e Star Sport. Tashmë me një eksperiencë edhe si trajnere, Jaku tregon për vështirësitë që kanë femrat në sport.

E në prag të 8 marsit, që simbolizon ditën e gruas, patjetër ajo kërkon që sa më shumë vajza të përkrahen për ëndrrat e pasionet e tyre. Megjithëse sipas Paules, ka hapa pozitivë përsa i përket përfshirjes së femrave në sport edhe si drejtuese.

Jaku tha: “E dimë shumë mirë se çfarë vështirësishë ka sporti. E sidomos ai tek femrat, ku duhet një sakrificë e madhe për të arritur suksesin. Sukses që realisht pak vlerësohet në vendin tonë, pasi të kalosh mbi 10 vite në sport e të mos marrësh meritat dhe vlerësimet e duhura patjetër që nuk është e këndëshme.

Femrat duhet të vlerësohen siç bëhet tek meshkujt. Po shohim Vllazninë e vajzave në futboll, që bënë diçka të paimagjinueshme. Nuk besoj se ndonjë skudër tjetër do sjellë Chelsea, Real Madrid dhe PSG në Shkodër. Megjithatë në qytetin tonë përfshirja e vajzave në sport, jo vetëm tek futbolli është goxha masive. Kjo patjetër më kënaq e duhen falenderuar edhe prindërit që i përkrahin këto vajza.

Po ashtu hapa pozitivë po bëhen edhe tek trajneret femra në futboll. Tashmë si në vendin tonë apo edhe Kosovë po drejtojnë në pankina të futbollit edhe femrat. Kjo tregon se si shoqëri po emancipohemi edhe me drejtimin nga femrat. Pavarësisht se ka hapa të tjerë që duhen ndërmarrë e ku duhet të ketë akoma më shumë mbështetje. Megjithatë besoj se jemi në rrugën e duhur e gjithçka do vijë me kalimin e kohës”.
Endri ÇINARI