Legjenda e portës shkodrane Paulin Ndoja mbrëmë ka marrë jo vetëm duartrokitjet e publikut shkodran por edhe titullin “Mirënjohja e Shkodrës”, akorduar nga Agjensia e Spektakleve “Buna 1”. Në Teatrin “Migjeni” ka patur shumë emocione në fundin e spektaklit të organizuar.

Për t’i dhënë këtë titull në skenë është ngjitur një tjetër emër i madh i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Hysen Zmijani. Në fjalën e tij ai është shprehur: “Jam i lumtur që jam përzgjedhur për të dhënë këtë titull. Në futboll, skuadra nis nga numri 1.

Dhe në Shkodër po t’i pyesim të gjithë njerëzit, 95 për qind e tyre do të thoshin se numri 1 është Paulin Ndoja”. Një shprehje që ka dhuruar më pas shumë duartrokitje në sallë. Në skenë është ngjitur mjeshtri i portës i cili në fakt është parë i emocionuar dhe përveçse ndonjë falenderimi të shkurtër, nuk ka dashur të flasë më shumë.

Kuptohet që ka folur me karrierën e tij si sportist por edhe si trajner, të cilën e vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndonëse është në moshë. Ky është Paulin Ndoja, njeriu që vazhdon t’i dhurojë futbollit shkodran shumë nga vetja e tij.
© shkodrasport.com