Pas një shkëputje të shkurtër disamujore, legjenda e portës shkodrane Paulin Ndoja është rikthyer sërish të jetë pjesë e strukturave të Klubit të Futbollit Vllaznia. Ky i fundit ditën e sotme ka bërë të ditur se ish-portieri i njohur i saj, ka marrë sërish detyrën e trajnerit të portierëve pranë Akademisë Vllaznia.

Ky vend kishte disa kohë që ishte bosh ngaqë trajneri i mëparshëm Ideal Lekiqi siç dihet ka kaluar tek ekipi i parë. Në këtë kuadër, ofertës së drejtuesve të klubit, mjeshtri Ndoja i është përgjigjur pozitivisht dhe nga dita e sotme, ka nisur punë.

Pavarësisht moshës, Paulin Ndoja duket mjaft aktiv dhe ka shprehur dëshirën e tij të japë kontribut për stërvitjen e portierëve të rinj. E ka nisur këtë punë para plot 32 vitesh dhe vazhdon ta bëjë sërish, duke mbetur i veçantë në llojin e tij.

Nga duart e këtij mjeshtri kanë dalë disa portierë të njohur të cilët kanë mbrojtur me sukses jo vetëm portën e Vllaznisë por edhe të ekipeve kombëtare, duke filluar nga Avenir Dani, Armir Grima, Arjon Mustafa e së fundi Alen Sherri.

Tashmë do të merret me portierët e spikatur të Akademisë Vllaznia duke filluar nga Kristi Qarri e me rradhë, të cilët padyshim që do ta kenë për nder të mësojnë nga përvoja e jashtëzakonshme e këtij njeriu.

Pjesë e Akademisë janë disa portierë me të ardhme të cilët padyshim që do të rriten shumë nga ana profesionale, për të ndjekur kësisoj shembullin e Sherrit. Paulin Ndoja në këtë mënyrë mbetet i rrallë në llojin e tij. Një njeri që i ka shërbyer shumë Vllaznisë në vite dhe ka dëshirë të japë përsëri kontributin e tij për ngjyrat e jetës së tij, ngjyrat kuqeblu.
© shkodrasport.com