Vjet ka ndjerë keqardhje që Tirana ra nga Superliga, pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë.
Sivjet mbase do t’i duhet të provojë të tilla emocione negative për rënien e skuadrës së tij të zemrës dhe kjo e ka bërë të mos ndjehet aspak mirë.
Paulin Ndoja, legjenda e portës kuqeblu, ka rrëfyer për “Sport Ekspres” shprehet:
“Duke qenë në këto ujëra dikush është dashur të mendojë për këtë punë sepse ka pasur kohë të mjaftueshme të mendojë që Vllaznia të mos shkojë ashtu si shkoi vitin e kaluar Tirana.
Ka qenë një sinjal i fortë, pastaj se si e kanë menduar të tjerët, këto njerëzit që kanë drejtuar e dinë më mirë se ne këtë punë pasi kanë qenë në krye të punëve.
Në këto momente që ne flasim sëbashku, trupi më rrënqethet i tëri nga dëshpërimi.
Si mund ta përjetoj unë këtë situatë, si mos më keq. Unë e mendoj që mos ta përsëris fjalën katastrofë, një fatkeqësi e madhe për futbollin shkodran dhe atë shqiptar.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të krijuar”.
I pyetur nëse mendon se Vllaznia ka ende ndonjë shpresë për mbijetesë, ish-portieri dhe trajneri i njohur shton:
“Nuk besoj se Vllaznia mund të mbijetojë, nuk besoj aspak, madje ju lutem mos më pyesni më për këtë punë sepse jam lodhur shumë moralisht për këtë gjendje dhe këtë situatë të Vllaznisë”.
© shkodrasport.com