Paulin Ndoja, legjenda e futbollit shkodran dhe atij shqiptar, nuk e shikon me syrin mosbesues Vllazninë. Rezultatet e fundit e shqetësojnë normalisht Mjeshtrin e Merituar të sportit, por kjo sipas tij, nuk duhet të krijojë bindjen se Vllaznia nuk mund të mos ngjitet aty ku i takon. Sipas Ndojës, kuqeblutë i kanë të gjitha mundësitë për të qenë sërish në ato pozicione që u gjendën përpara takimit me Flamurtarin. Në një intervistë për gazeten, mjeshtri i portës, që aktualisht është pjesë edhe e akademisë Vllaznia, ka analizuar ecurinë dhe ka treguar se tashmë ka ardhur koha që shumë shpejt ekipi të ketë pas Armir Grimës në portë, një portier shkodran.

Profesor Ndoja, si e shikoni Vllazninë e këtyre javëve të fundit?
T’ju them të drejtën, nuk jam habitur se na mundi Flamurtari në takimin e fundit. Edhe kur kemi qenë në maksimumin tonë dhe në ato vite të shkëlqyera, na ka mundur Flamurtari. Është një emër po aq i madh sa Vllaznia. Mua më vjen keq që kemi lënë pikë të tjera përballë skuadrave që nuk mund të them se kanë nivelin e Vllaznisë. Prandaj nuk mendoj se duhet të ndalemi shumë te humbja në Vlorë.
Sipas jush, ku po gabon skuadra?
Reparti i mbrojtjes natyrisht që mbetet një shqetësim. Po gabojmë shumë në këtë repart, por nuk duhet harruar se po shpërdorojmë shumë edhe përpara portës. Prandaj, duhet që të korrigjohemi edhe në këtë drejtim.
Mendoni se tani Vllaznia rrezikon seriozisht rënien?
Një gjë e tillë as që më shkon ndër mend. Vllaznia ka lënë pikë, ashtu siç edhe kanë lënë pikë shumë skuadra të tjera. Siç lamë pikë dhe humbëm ne, mund të lënë pikë dhe humbin ekipet e tjera. Ajo që duhet të bëjë tani mirë Vllaznia është të mundë Kukësin. Nëse e arrin këtë, ku të gjitha mundësitë janë, mendoj se edhe në takimin tjetër në kryeqytet me Tiranën fitojmë. Pas këtyre, të gjithë do fillojnë të flasin ndryshe. Vllaznisë nuk do t’i falet që të lërë pikë me Kukësin, në të kundërt situata mund të vështirësohet.
Keni qenë një përkrahës i fortë i idesë që në skuadër të ketë sa më shumë shkodranë…
Vazhdoj të jem i tillë. Mendoj se kjo Vllazni me shumë shkodranë dhe me afrime cilësore që ka bërë (pak, por saktë), ka arritur të tregojë falë edhe një trajneri si Canaj, të cilin e njoh mirë pasi kam punuar me të, të dhurojë në çdo takim lojëra të bukura. Kur dhuron lojëra, natyrisht që shpreson te rezultati. Nuk erdhi kësaj here, por do vijë në takimet e tjera. Unë mendoj se edhe në ekipet e akademisë po vazhdon puna për nxjerrjen e elementëve të tjerë cilësorë. Vllaznia po punon mirë në këtë drejtim, por duhet që të bëjë kujdes për ruajtjen e këtyre vlerave që i nxjerr nga gjiri i saj dhe t’i vërë në funksion të skuadrës së parë. Vazhdoj të jem i mendimit se vetëm kështu do ecë Vllaznia.
Që pas Grimës ka kohë që nuk po del një portier shkodran. Duke qenë se jeni trajner i portierëve në akademi, a mund të thuhet se shumë shpejt Vllaznia do ketë një portier vendës?
Portieri që aktualisht ka Vllaznia në gjirin e vet është një nga më të mirët që ka ardhur në Shkodër. Por, mund t’ju them se me elementin që sot ka në akademinë Vllaznia, për sa i përket portës, mendoj se shumë shpejt ajo nuk do të ketë vetëm një portier shkodran, por ndoshta edhe më shumë. Unë nuk jam mësuar të jap asnjëherë deklarata para kohe, por duke parë brumin që është në ekipet e akademisë, jam optimist për një gjë të tillë.

Admir URUÇI