Ndërprerja e kampionatit ka ardhur në momentin e duhur për Vllazninë. Pas largimit të teknikut Josa nga drejtimi i skuadrës dhe marrjes së detyrës nga ana e teknikut të ri, Auron Miloti, duket se gjërat do të bëhen me qetësinë dhe maturinë e duhur nga ky i fundit për vetë faktin se për të përgatitur takimin e radhës, atë ndaj Bylisit, ka më shumë se 10 ditë në dispozicion.
KOHA – Miloti ka edhe një favor tjetër, pasi e njeh mirë skuadrën dhe e di se ku kanë qenë problemet. Përveç kësaj, ky pushim është frymëmarrje e madhe edhe për disa lojtarë të Vllaznisë, të cilët kanë qenë të mbingarkuar fizikisht për shkak të aktivizimit të vazhdueshëm dhe lodhjes së madhe.
Kështu, lojtarë, që nuk i janë ndarë formacionit gjatë gjithë sezonit kanë një mundësi të mirë për t’u riaftësuar.
Gjithashtu, lojtarët e dëmtuar, që nuk ishin në dispozicion të Josës, pritet të kthehen deri në ndeshjen e radhës dhe t’i japin mundësi të plotë zgjedhjeje Milotit në debutimin e tij si trajner i Vllaznisë. Hakaj pati një problem në ndeshjen me Laçin, por nuk e rrezikon sfidën e radhës.
TË PENALIZUARIT – Po ashtu, lojtarët, që nën drejtimin e Josës ishin lënë në hije, apo edhe ishin përjashtuar nga skuadra, tashmë kanë kohën e duhur gjatë këtyre ditëve, për të treguar veten dhe për t’i dhënë sinjale trajnerit të ri se janë në gjendje të ndihmojnë skuadrën.
Dy nga emrat më të mëdhenj, që me Josën kishin kaluar në plan të dytë, janë Kristjan Vulaj dhe Liridon Latifi. I pari nuk ishte në planet e trajnerit, ndërsa Latifi ishte pezulluar pa afat.
Ky i fundit fillimisht u ndoq nga fati i keq, pasi u dëmtua në javën e dytë ndaj Kukësit. Problemet fizike nuk e lejuan të tregonte vlerat e veta dhe e lanë shumë kohë mbrapa grupit. Pas rikthimit nga dëmtimi, Latifi ka qenë në hije dhe ende nuk ka ardhur në formën e duhur.
Mungesa e aktivizimit nga tekniku Josa ishte një tjetër goditje për 29- vjeçarin, i cili nuk pranoi të aktivizohej si zëvendësues në ndeshjen ndaj Teutës dhe për pasojë u pezullua.
Mirëpo largimi i Josës dhe lënia e dorës së lirë nga presidenca për teknikun Miloti, do të bëjë që mesfushori të jetë i gatshëm që në takimin ndaj Bylisit.
Një tjetër emër, që mund të marrë më shumë mundësi, do të jetë edhe shqiptaromalazezi Kristjan Vulaj. Atij i kanë munguar minutat në këtë pjesë të sezonit. Pritet që Miloti t’i krijojnë më shumë hapësira Vulajt.