Pauzat e kampionatit në momente të caktuara vijnë pikërisht në momentin e duhur për disa skuadra. E tillë mund të konsiderohet edhe për Kukësin, i cili nuk vinte nga një moment shumë pozitiv në takimet e fundit në kampionat. Kjo, e lidhur në njëfarë mënyre me dëmtimet dhe rezultatet e koleksionuara në tre javët e fundit.

Prandaj, me këtë ndalesë më shumë se dy-javore, në Shkodër do të kenë mundësi të rregullojnë disa gjëra gjatë kësaj periudhe. Vllaznia është një ndër skuadrat që nuk ka gjetur shumë qetësi sa u përket dëmtimeve, pasi pothuajse në asnjë moment as ish-trajneri Migen Memelli, por as trajneri aktual Qatip Osmani, nuk e kanë pasur të plotë skuadrën e tyre dhe shpesh-herë u është dashur të bëjnë arnime në takime të caktuara, raporton shkodrasport.com.

Edhe ndaj Partizanit, skuadra kishte jo pak mungesa për arsye dëmtimesh. Tashmë, skuadra do të ketë pak më shumë se dy javë pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe në Shkodër po qëndrojnë gjithë shpresë që të rikuperojnë futbollistët e dëmtuar, pikërisht kosovarin Esat Mala dhe maqedonasin Konstantin Cheshmedjiev, me këta dy të fundit që kanë dëmtime më të rënda.

Pa harruar këtu as sulmuesin Bruno Gomes që ende nuk ka ardhur në kontigjentin e tij maksimal, edhe pse është përdorur herë pas here nga Osmani në minuta të caktuara në fushë. Kjo periudhë ndoshta do t’i bëjë punë stafit mjekësor që të rikthejë në formën e tyre më të mirë dhe t’i kenë të gatshëm pas pushimeve, ku dihet që kampionati sa vjen dhe bëhet edhe më i fortë.

Në fakt, në tre ndeshjet e fundit, Vllaznia vjen pas dy humbjesh me Kukësin dhe Partizanin, por edhe barazimit me Erzenin, duke e konsideruar si periudhë jo të mirë, aq sa u ndërruan edhe trajnerët. Në fakt, deri më tani, drejtuesit nuk e kanë parë potencialin që prisnin nga skuadra për ta nxjerrë në pah ndoshta. Për këtë arsye, edhe në dy ndeshjet e fundit stonuan pak. Tashmë, pas pauzës së kampionatit kanë mundësinë që të bëjnë edhe analizat e duhura më me qetësi dhe të shpresojnë të rikthehen te fitoret./SHKODRA-SPORT.COM/