Gjatë ditës së sotme në median e shkruar është folur për emërime të reja tek Vllaznia. Duke filluar nga plotësimi i vendit vakant të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, post në të cilin thuhet se është emëruar presidenti i ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë Lazer Matija.
o ashtu, u përfol për një pranim të ofertës për të marrë postin e administratorit të klubit nga ish- futbollisti Suad Lici dhe bashkë me të, edhe atë të trajnerit të skuadrës së parë për Ervis Krajën.
Por ndërkohë, burime zyrtare pranë klubit të Futbollit Vllaznia bëjnë të ditur se deri më tani ende nuk ka asnjë vendim të parë. Kjo do të thotë se emrat që qarkullojnë mund të jenë realisht ata që do të zënë këto pozicione por edhe mund të mos jenë.
Janë shumë gjëra për t’u diskutuar por e sigurtë duket se çdo gjë do të marrë zgjidhje brenda pak ditësh. Kjo ngaqë nuk ka më kohë për të humbur. Skuadra duhet të nisë stërvitjen sa më parë sepse javët kalojnë dhe fillimi i shtatorit vjen shpejt për nisjen e kampionatit.
Por para se skuadra të zbresë në fushë duhen saktësuar shumë gjëra të tjera më parë që kanë të bëjnë me aspektin administrativ. Plotësimi i Këshillit Mbikëqyrës me anëtarin e munguar prej kohësh pas dorëheqjes së Mark Laloshit, ende nuk është shumë e qartë se kush e ka kompetencë, Këshilli Bashkiak që ka emëruar edhe anëtarët aktualë të tij apo kryetarja e Bashkisë me ligjin e ri të pushtetit lokal.
Gjithsesi këto janë çështje që shumë shpejt duhet të sqarohen dhe Vllaznia të nisë punë për sezonin e ri sepse ditët kalojnë dhe deri më tani ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, çka nuk ndikon mirë tek nisja e punës ashtu si duhet për sezonin e ri.
www.shkodrasport.com