Vllaznia bën lojën por Kukësi merr fitoren. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme në ndeshjen e parë të fazës së tretë të kampionatit, atë të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Miqtë I janë falur një goli të shënuar nga I zakonshmi Pejiç në minutën e 84-të me anë të një goditje dënimi, për të fituar 1-0 dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje. Në fakt, ka qenë një humbje e pamerituar për shkodranët të cilët e kanë dominuar lojën dhe po ashtu kanë patur edhe më shumë raste shënimi.
Pjesa e parë ka qenë më e mirë për kuqeblutë që arrijnë të krijojnë edhe tre raste me anë të Çinarit, Shtubinës dhe Vecajt por pa arritur dot ta dërgojnë topin në rrjetë. Kukësi nga ana tjetër nuk u shfaq aspak si një ekip kryesues sepse në 45 minuta kanë arritur të krijojnë vetëm një rast në zonën e Vllaznisë. Edhe pjesa e dytë nis më mirë për vendasit. Cicmil në minutën e 51-të dhe Shtubina një minutë më vonë kanë mundësi të shënojnë por gabojnë në gjuajtje. Rasti I parë I takimit për Kukësin do të ishte në minutën e 64-të. Natyrisht shumë pak për një skuadër që kryeson kampionatin. Vllaznia ndërkohë pati një tjetër mundësi të mirë për të kaluar në avantazh me anë të sulmuesit Pepa që në minutën e 74-të, futet bukur në zonë, gjuan dhe topi devijohet nga portieri Koliçi dhe përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule. Vendasit duken të pafat dhe kështu në fakt do të rezultonte. 10 minuta më vonë, Pjeshka shkakton një faull të panevojshëm ndaj Pejiç në hyrje të zonës dhe kroati do ta ekzekutonte vetë goditjen e dënimit duke e dërguar topin në rrjetë. Kaq do mjaftonte që Kukësi të shkonte drejt fitores ndonëse në minutat shtesë, Pjeshka është shumë pranë golit të barazimit. Përfundimisht 1-0 për miqtë që ruajnë vendin e parë në renditje ndërkohë që Vllaznisë I duhet t’I bëjë llogaritë ndryshe në këto dy fazët e mbetura të kampionatit.
© shkodrasport.com