Kukësi “peshkon” Tiranën në startin e kampionatit, një short jo i lehtë, duke qenë se përballë do të kenë kampionët e vendit. Përpos klubit, edhe tekniku Gega rigjen përballë në start bardheblutë, ku para dy sezonesh, sërish nën drejtimin e verilindorëve, Tirana i mposhte në shifrat e pastra 2 me 0.
Kjo ishte humbja e dytë e Kukësit në start përgjatë 10 sezoneve në elitë, teksa e para i takon sezonit 2013-2014, atëherë mundej nga Lushnja. Në tetë sfidat e tjera, Kukësi ia ka dalë të fitojë fitojë në pesë raste dhe të barazojë në tri. Mirëpo, një e dhënë inkurajuese për ndeshjen e parë vjen për Kukësin, pasi në pesë sfidat në shtëpi, nuk është mundur asnjëherë, ku ka fituar tre dhe barazuar dy. Mbetet për t’u parë nëse ky trend pozitiv në ndeshjet hapëse në shtëpinë e tyre do të vijojë ende apo do të koleksionojnë edhe disfatën e parë në shtëpi.
PEJIÇ – Pas hedhjes së shortit, foli për mediat edhe ndihmësi i Skënder Gegës te Kukësi, Pero Pejiç, i cili mban njëkohësisht edhe detyrën e drejtorit sportiv në këtë skuadër. Në fjalën e tij, kroati u ndal te situata që po kalojnë verilindorët këtë merkato vere, ndërsa pohoi se ajo nuk ka përfunduar ende, pasi skuadra ka nevojë edhe për dy përforcime të tjera.
“Deri tani, nuk mund të gjykoj asgjë, sepse janë vetëm 10 ditë stërvitje. Janë larguar disa lojtarë dhe janë afruar disa të tjerë. Koha do ta tregojë dhe të shikojmë. Na duhet një mesfushor dhe një lojtar nga krahu i majtë i mbrojtjes, sepse aty kemi vetëm Ndrecën dhe nëse ai dëmtohet, nuk kemi tjetër”, u shpreh fillimisht Pejiç.
Kroati u ngacmua edhe për sulmin, duke e konsideruar si të kompletuar me afrimin e Zivkoviç dhe rikthimin e Dacit. Megjithatë, sipas tij, pavarësisht lëvizjeve që janë bërë në merkato, baza vijon të jetë e njëjta. “Zivkoviç erdhi nga Kroacia, një sulmues i fortë që ka kaluar në kampionate të fortë.
Kemi rikthyer Dacin nga Teuta, i cili ka ardhur në formë shumë të mirë. Për mendimin tim, kemi bërë blerje shumë të mira, por koha do ta tregojë këtë. Janë afruar shumë lojtarë, por baza është e njëjtë”, u shpreh Pero Pejiç, për të cilin është sezoni i dytë në rolin e drejtuesit në skuadrën e Kukësit.