Tirana dhe Kukësi e mbyllin në një barazim pa gola, ndeshjen më të rëndësishme të javës së 12-të, të luajtur në “Selman Stërmasi”. Një ndeshje shumë e luftuar, që në fund pa skuadrat të ndanin nga një pikë.
Në pjesën e parë, Hoxhallari u ndal nga shtylla pas një silure prej më shumë se 35 metra, ndërsa pak para se të mbaronte pjesa e parë, Rexhinaldo fitoi një penallti, por ishte Abibi që e priti.
Në pjesën e dytë, iniciativën e pati më shumë Tirana, me Kukësin që u mbrojt dhe ia doli të mos pësonte.
Në fund, pati edhe një karton të kuq për Melon, i cili u ndëshkua dy herë me të verdhë, ndërsa me përfundimin e ndeshjes, u futën në fushë edhe tifozët e Tiranës, të acaruar me rezultatet e ekipit të tyre.
Me këtë barazim, Kukësi mbetet në vendin e tretë, me 20 pikë, ndërsa Tirana e shtata, me 10 pikë.