Penalltia e Shkodrës, ishte apo nuk ishte? Kjo është dilema e javës së 21-të të Superiores. Të shumtë janë ata që thonë se penalltia nuk ekziston.
Për këtë qëllim, “Panorama Sport” mori një mendim më të specializuar nga ish-arbitri i FIFA-s dhe specialisti i gjykimit, Shpëtim Lamçe. Ky i fundit pranoi se penalltia është akorduar në mënyrë të rregullt.
“Për sa i përket çështjes së penalltisë, të cilën e dha gjyqtari Enea Jorgji në favor të Vllaznisë në sfidën me Tiranën, mund të them se është rasti i penalltisë ose rasti është penallti. Së pari, duhet të pranojmë se krosi i nisur nga lojtari i Vllaznisë po shkon në drejtim të sulmuesit Balaj. Krosi nuk është në zonën e 5- metërshit ku i favorizuar është portieri, por drejt sulmuesit. Portieri i Tiranës nuk ka vepruar gabim”, tha në fillim ai.
Lamçe analizoi veprimet e Behiratçes dhe Balajt në fushë, si dhe shkakun e pasojën që solli penalltinë.
“Lojtari i Tiranës është treguar naiv në rastin e penalltisë, pasi nuk ka kërcyer pothuajse fare. Nuk është marrë me trajektoren e topit, por është munduar që të bllokojë lojtarin e Vllaznisë. Ai i ka vënë dorën mbi sup lojtarit, duke mos e lejuar që të kërcejë dhe nuk merret fare me faktin që duhet të ndalë topin. Dora e mbrojtësit të Tiranës është gjithashtu në një pozicion jonatyral.
Ku duhet të jetë dora në pozicionin natyral? Jo mbi supin e kundërshtarit. Pra, lojtari i Tiranës e ka bllokuar kundërshtarin të kërcejë për të kapur topin. Sa e fortë ka qenë ndërhyrja, kjo nuk është vendimtare, pasi është faull në zonë. Veprimi i mbrojtësit të Tiranës i ka hequr mundësinë teorike kundërshtarit që të kapë dhe godasë topin me kokë dhe për këtë shkak rasti në Tirana-Vllaznia është penallti”, thotë ish-gjyqtari i FIFA-s dhe specialisti i gjykimit, Shpëtim Lamçe.
NDESHJA – Suksesi 1-0 i shkodranëve u vulos në fillimin e pjesës së dytë, më saktësisht në minutën e 49-të, kur gjyqtari Enea Jorgji bëri shenjë nga pika e bardhë pas një kontakti në zonë mes Balajt dhe Behiratçes.