Emri i sulmuesit shqiptar Armando Broja vazhdon të qarkullojë pothuajse çdo ditë në mediat më të njohura sportive në Angli dhe çdo ditë del ndonjë pistë e re për të ardhmen e tij.
Sulmuesi i Përfaqësueses së Shqipërisë është në pritje të vendimit të Çelsit për këtë sezon, nëse do ta mbajë në rradhët e bluve apo do të kërkojnë një sistemim tjetër. Në fakt, pothuajse çdo ditë, shfaqen hipoteza nga më të ndryshmet.
Sot, në mediat britanike është publikuar hipoteza e një kthimi të bujshëm te Southampton, klub ku Broja shpërtheu në skenën e rëndësishme të futbollit britanik, duke luajtur rregullisht nën urdhrat e Ralph Hassenhuttl.
Drejtuesit e kësaj skuadre dhe vetë trajneri Hassenhuttl nuk e kanë mohuar kurrë se, do të dëshironin futbollistin shqiptar që të kthehej përfundimisht në rradhët e tyre dhe sipas gazetarit britanik që merret me merkaton, Dean Jones, një gjë e tillë është mëse e mundshme.
Maringlen ZHIVANI