Jemi vetëm në gjysmën e këtij sezoni, por kjo nuk e pengon Partizanin të bëjë revolucion të madh në skuadër, duke menduar edhe për pjesën e financave. Pas konfirmimit të shitjeve të Rrapajt dhe Hadrojt, Tedi Cara do të jetë largimi i tretë i janarit.

Partizani ka arritur një marrëveshje paraprake me klubin ukrainas të Oleksandrias. Këta të fundit kanë qenë mjaft të interesuar dhe kanë arritur ta bindin klubin e kuq për shifrën e afro 250 mijë eurove.

“Panorama Sport” mëson se në ditët në vijim pritet që Cara të firmosë kontratë për 3.5 vite me një pagë prej 15 mijë eurosh në muaj, që është më shumë se trefish se kjo që merr aktualisht te Partizani.

GJURMËT – Ai largohet nga klubi i kuq pas plot pesë vitesh si golashënuesi më i mirë i kësaj dekade. Ditën e djeshme kavajasi luajti ndeshjen e 200-të dhe klubi i kuq i kushtoi një ceremoni të shkurtër, më të cilën mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Në këto ndeshje ai ka arritur të shënojë plot 42 gola. Sulmuesi është edhe golashënuesi më i mirë i historisë së të kuqve në Europë.

3 NË UKRAINË – Cara bëhet lojtari i tretë i Partizanit që shitet në Ukrainë. Më parë janë konfirmuar largimet e Rrapajt dhe Hadrojt. Nga kjo treshe klubi ka arritur të përfitojë një shifër prej afro 1 milionë eurosh, e konsiderueshme për nivelet tona, por me koshiencën se mund të kishin nxjerrë shumë më shumë para.

MBA – Edhe Mba pritet të largohet nga Partizani. Nigeriani ka disa oferta dhe po këmbëngul për tu larguar nga të kuqtë pas dy vitesh si “dem”. Për nigerianin ka mbërritur një ofertë zyrtare nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Për momentin nuk bëhet i ditur emri i klubit, por është zbuluar shifra, që është afro 200 dollarë amerikanë apo 190 mijë euro. Në këtë moment duket sikur po prevalon dëshira e lojtarit, sepse Partizani do të nxirrte vetëm paratë me të cilat e bleu nga Trepça ’89 para dy vitesh. Për të ka interes edhe nga Olimpija Ljubjana.

AFRIMET – Pas largimit të tre “yjeve” të ekipit, Partizani ka nisur punën për “riparimin” e dëmeve dhe rigjenerimin e ekipit sa i përket emrave. Klubi i kuq ka arritur marrëveshjen me klubin e Remo Star për blerjen e Ismaila Sodik. Lojtari i datëlindjes 2003 luan si mbrojtës i djathtë dhe në vendlindjen e tij konsiderohet si një lojtar me shumë perspektivë.

Partizani ka paguar 50 mijë euro për të riun, që pritet të firmosë një kontratë afatgjatë. Në këtë sezon ai ka luajtur 14 ndeshje në kampionatin nigerian dhe Champions League afrikane, teksa ka mundur të dhurojë 1 asist dhe të shënojë 4 gola. Kjo është aventura e tij e parë jashtë vendit. Ai vjen si pasues i Hadrojt. Dmitri Podstrelov është lojtari tjetër, që pritet të mbërrijë në ditët në vazhdim.

Bjellorusi ka mbyllur kontratën me Dinamo Minsk dhe do të firmosë me Partizanin si lojtar i lirë, teksa vjen me një eksperiencë të konsiderueshme mbi supe. 26-vjeçari luan si sulmues i djathtë, por mund të bëjë mirë edhe në dy pozitat e tjera të ofensivës dhe si fantazist. Podstrelov numëron plot 14 paraqitje me kombëtaren bjelloruse, teksa në të shkuarën ka luajtur me klube si BATE Borisov apo Shaktjor Soligorsk. Para dy vitesh ai luante me BATE-n kundër Partizanit në Champions League.