Humbja e fundit ndaj Erzenit në transfertë e ka zhytur edhe më tej në krizë ekipin e Vllaznisë pas humbjes me Bylisin në Ballsh. Të besuarit e Mirel Josës edhe njëherë nuk ditën të shfrytëzonin ndalesën e Tiranës kryesuese në Kukës dhe kanë dalë pa pikë nga sfida me shijakasit.
Më shumë se kurrë, shkodranët tashmë rrezikojnë synimet e tyre. Me këtë humbje të sotshme ndaj Erzenit, situata sa vjen e rëndohet edhe më tepër për momentin.
I vetmi lajm i “mirë” për Vllazninë gjatë kësaj fundjave ishte ndalesa e rivalëve në garën për vendet e para në renditje, ku për fatin e tyre të mirë nuk fitoi asnjë, duke mos u shkëputur në klasifikim. Diferenca me Tiranën, i cili është ekipi që për momentin mban kreun e renditjes, është gjashtë pikë.
Prandaj, ky fakt jep disi shpresë në Shkodër se janë të gjitha mundësitë që të mos demoralizohen sa i takon titullit kampion. Gjithsesi, shkodranët nuk duhet të mjaftohen gjithnjë me faktin që rivalët mund të ndalen, pasi pikësëpari duhet të fitojnë sfidat e veta.
Maringlen ZHIVANI