Dinamo është gati për të sfiduar Besën, kundërshtar që e ritakon pas 5 vitesh. Luhet në stadiumin e Peqinit dhe pa tifozë, por pa frikë mund të thuhet që është kryendeshja e javës së 10-të. Përballet vendi i dytë me të tretin e Kategorisë së Parë, ndaj edhe kryeqytetasit e dinë rëndësinë e këtij 90- minutëshi.
Blutë duhet ta fitojnë për shumë arsye dhe besojë se do t’ia dalin, sidomos kur udhëtojnë me grup më të plotë. Aktualisht vetëm Ersil Ymeri dhe Sabien Lilaj janë të padisponueshëm, ndërsa të tjerët janë në urdhrat e stafit teknik.
Nevil Dede kërkon që skuadra të tregojë nivelin e saj dhe të shpërblehet për atë që do të japë në fushë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” ai vlerëson kavajasit e drejtuar nga Gugash Magani, të cilët janë vetëm 3 pikë prapa. E megjithatë, qartazi e thotë që do vazhdimësinë.
Profesor, si është gjendja e skuadrës përpara ndeshjes me Besën. A keni sërish lojtarë të dëmtuar?
Gjendja e ekipit është e mirë. Për pak do të na kthehet Sabien Lilaj në 100%, kurse Artur Rexhinaldo është bashkë me grupin. Vetëm Ersil Ymeri mbetet jashtë skuadre aktualisht për dëmtim.
Si ka ndikuar te Dinamo fitorja me Turbinën, pas atij momenti jo të mirë në kampionat?
Nuk do të thoja ‘moment jo i mirë’, por nga një hap i gabuar vetëm në përballjen kundër Flamurtarit. Fitorja e fundit shërbeu, mbi të gjitha, për të rritur entuziazmin që fituan lojtarët e rikthyer nga dëmtimi, siç janë Eni Imami, Indrit Prodani, Patrik Bardhi dhe Silvio Vokrri.
Sa e njihni Besën si kundërshtar, që vjen në një moment shumë të mirë me disa fitore radhazi?
Besoj se e njoh shumicën e lojtarëve që luajnë për Besën. Plus edhe disa ndeshje janë transmetuar “live”. Vijnë nga një ecuri pozitive me meritë.
A ju favorizon fakti që luani në fushë neutrale?
Fusha, në këndvështrimin tim, ndikon pak. Futbolli ynë ka nevojë në çdo sekondë, në çdo situatë, për karakter sportiv, mentalitetin dhe impenjimin e duhur. Nëse mungojnë këto elemente, të mund çdokush dhe kudo, edhe brenda fushës tënde.
Veç fushës, luhet edhe pa tifozë. Si ndikon kjo?
Për mungesën e tifozëve me vjen keq, sepse ne për ata luajmë. Pa publikun, nuk ka kuptim as futbolli.
Gugash Magani ka përdorur një batutë përpara kësaj sfide: “Edhe Brazilin dua ta mund dhe jo më Dinamon”. Një “replikë” me të?
Përballem me një mik të mirë, që ka shumë eksperiencë pozitive në karrierë. Kam kënaqësi që do të takohemi, sepse kjo punë na bën të shihemi rrallë.
Çfarë kërkoni më shumë nga lojtarët në një sfidë si kjo me Besën, e fundit para ndërprerjes së kampionatit?
Të tregojmë nivelin që kemi dhe shpresojmë të marrim atë që do të japim në fushë.