Vllaznia ka mësuar ditën e sotme kundërshtarin e parë zyrtar në Conference League. Ata do jenë islandezët e Valur që do kenë një dopio duel në datat 11 dhe 18 korrik. Një duel që nuk paraqitet i lehtë për kuqeblutë. Duke qenë se momentalisht, ekipi islandez është në një formë fizike optimale pasi po zhvillon kampionatin e vendit të tij.

Momentalisht Valur ndodhet në vendin e 3-të me 21 pikë pas 10 javëve të para. Por kjo patjetër që shton motivimin tek Vllaznia që nuk do të përsërisë sezonin e shkuar.

Kjo nuk është hera e parë që Vllaznia do përballet me një ekip nga Islanda. Shkodranët në sezonin 2001-2002 janë ndeshur për raundin e parë të Champions League me Rekjavik.

Kundërshtar të cilin Vllaznia e kalonte pas humbjes fillimisht në Islandë me shifrat 2-1. Ku golin e Vllaznisë do e shënonte Klodian Duro. Do ishte pikërisht elbasanasi që do shënonte në Shkodër për shifrat 1-0. Rezultat që do mundësonte kalimin e Vllaznisë në fazën tjetër. Ku kuqeblutë më pas i prisnin dy duele historike me turqit e Galatasaray.

Nga ajo periudhë kanë kaluar dy dekad e futbollistët janë totalisht të ndryshëm. Por patjetër ky është një ogur i mirë për Vllazninë në duelet e mes korrikut përballë Valur. Ku shkodranët patjetër kanë si objektiv kalimin e turit të parë në Conference League.
Endri ÇINARI