Drejtori i marrëdhënieve institucionale të Realit të Madridit, Emilio Butragenjo ka analizuar rivalin e “Los Blancos” në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampionëve, Atletiko Madrid.

“Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ata janë shumë të fortë në mbrojtje dhe shumë të mirë edhe në sulm. Do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por ne kemi besim te lojtarët. Për më shumë ne e dimë se çfarë do të thotë ky kompeticion për ne. Është e vërtetë që kalendari është i jashtëzakonshëm.

Të gjitha ndeshjet do të jenë shumë të luftuara dhe shumë kërkuese. Ne duhet të përgatitemi mirë për të parë se kush është më i forti. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u kualifikuar në çerekfinale”, tha ai.

Kalendari është pa diskutim ai që nuk ndihmon shumë. Por sipas Butragenjos, tashmë nis malorja e vërtetë për Realin.

“Kemi pasur shumë probleme me dëmtimet, por skuadra ka arritur të rikuperohet. Ndeshjet kundër Mançester Sitit ishin spektakolare, por mendoj se tani ka ardhur momenti kritik. Kalendari është shumë kërkues dhe ne do të duhet të jemi të përgatitur”, tha Butragenjo.