Nga Endri ÇINARI
Statistikat e këtij sezoni në përballjet e çiftit Bylis-Vllaznia tregojnë se kur këto dy skuadra ndeshen, triumfues del gjithmonë ekipi vendas. Kështu në fazën e parë, me ndeshjen e luajtur në Shkodër ishin shkodranët që triumfonin 2-0, falë golave të Stojanoviç dhe Balajt. Ballshiotët do i kthenin “reston” kuqebluve në duelin e fazës së dytë.
Ku mallakastriotët fitonin në “Adush Muça” me shifrat 1-0. Kjo falë një rrjete të Malomos në minutën e 10-të të takimit. Tradita e fitoreve të ekipit pritës në këtë çift do vijonte edhe në ndeshjen e fazës së tretë.
Do ishte sërish Vllaznia që do fitonte pastër në Shkodër, në shifrat 3-0 kundër Bylis. Duel që vendosej nga autogoli i Camara dhe golat e Stojanoviç dhe Kahrimanoviç për 9 herë kampionët e vendit.
Sot do shikohet nëse dy ekipet do i qëndrojnë “besnikë” kësaj statistike, apo do arrihet të thyhet “tradita” e fitoreve të ekipit vendas.(www.shkodrasport.com)