Real Madridi është mposhtur nga Arsenali me rezultat 3-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve sonte. Ekipi i vendit të dytë në Ligën Premier mposhti kampionët në fuqi në Emirates falë golave të Declan Rice, i cili shënoi dy gola nga gjuajtjet e lira dhe goli i tretë ishte vepër e Mikel Merino.
Për shkak të kësaj disfate të rëndë, presidenti i Realit, Florentino Perez ka zhvilluar një takim urgjent me Ancelottin, shkruan AS. Perez i bëri të ditur se presioni ishte i madh dhe se publiku po kërkonte gjithnjë e më shumë shkarkimin e tij, por ai gjithashtu i tha trajnerit italian se nuk do të merrte asnjë vendim deri në fund të sezonit.
Mediat spanjolle raportojnë gjithashtu se Perez i ka thënë Ancelottit se mund të qëndrojë pas përfundimit të sezonit, por kushti është që të fitojë një trofe të rëndësishëm.
Ancelotti nuk do ta ketë një detyrë të lehtë sepse janë në prag të rënies nga Liga e Kampionëve, dhe po mbeten pas liderit Barcelona në kampionatin vendas. Nëse ai nuk arrin të fitojë asgjë, ka të ngjarë që Xabi Alonso të marrë drejtimin. /Telegrafi/