Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pritet që gjatë këtij viti të pasurohet me elementë të rinj. Mesfushori i Kasimpashas në Turqi, Loret Sadiku, ka angazhuar avokat në FIFA në mënyrë që t’i lejohet përfaqësimi me Kosovën, shkruan gazeta “Zëri”.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i sqaron rastet edhe të Florent Hadërgjonajt të Huddersfieldit dhe Bastian Tomës së Sionit.

Loret Sadiku kohë më parë e ka lënë Kombëtaren e Shqipërisë për të luajtur me atë të Kosovës, që në periudhën kur Kosova nuk ishte pranuar ende në UEFA dhe FIFA. Mesfushorit të Kasimpashas në Turqi nuk po i lejohet të luajë për Kosovën pasi sipas FIFA-s kjo është jashtë rregullores.

Kujtojmë se Sadiku e kishte ndryshuar njëherë kombëtaren duke e lënë Suedinë për Shqipërinë dhe hera e dytë është e palejueshme. 27-vjecari nga Prishtina është duke punuar me avokat në FIFA në mënyrë që ta marrë “izën” për të luajtur me Kosovën.

Ai pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi nga Federata e Futbollit të Shqipërisë në momentin për të luajtur me Shqipërinë.Gazeta “Zëri” e ka kontaktuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademin, i cili ka folur për çështjen në fjalë. “Dëshira e Loret Sadikut është që të aktivizohet me Kosovën. Ai e ka angazhuar një avokat në FIFA në mënyrë që ta fitojë të drejtën për të luajtur me Kosovën”, ka thënë të hënën Agim Ademi.

Sadiku në këtë edicion ka shkëlqyer me paraqitjet e tij te Kasimpashan. Ai ka marrë ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë për dy ndeshjet e fundit, mirëpo nuk është paraqitur në grumbullim.