Nis sot në Prishtinë turneu i gjashtë që mban emrin e ish- boksierit të njohur kosovar Lah Nimani. Në të do të marrin këtë vit pjesë boksierë nga 9 vende të Rajonit mes të cilëve edhe 4 boksierë të kombëtares shpiptare të 18 vjeçarëve. Konkretisht boksierët që marrin pjesë në këtë turne dyditor janë Rexhildo Zeneli, Erald Muhja, Krenar Zeneli dhe Syrjan Marinaj. Sipas shortit  të hedhur për ndeshjet gjysmëfinale, Krenar Zeneli do të ndeshet me një boksier bullgar, Rexhildo Zeneli me një boksier hungarez, Erald Muhja me një boksier bosnjak dhe Syrjan Marinaj me një boksier tjetër hungarez. Përfaqësuesja jonë drejtohet si gjithnjë nga trajneri Zef Gjoni. Sipas tij, shpresat janë që të paktën dy sportistë të jenë në finale dhe sytë janë të drejtuar nga R. Zeneli dhe Marinaj që gëzojnë formë shumë të mirë sportive. Në këtë aktivitet marrin pjesë shtete si Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bosnjë- Hercegovina, Hungaria, Bullgaria, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Turneu zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Sporteve të Kosovës dhe mban firmën e Federatës Kosovare të boksit.
© shkodrasport.com