Kukësi ka siguruar pothuajse 1 milion euro deri në këto momente nga aventura e këtij sezoni në Europë. Vetëm nga Champions, verilindorët kanë fituar 660 mijë euro, 280 mijë në turin e parë, dhe 380 mijë në turin e dytë.

Ndërkohë, pasi u eliminua nga Karabaku, Kukësi tashmë do luajë në turin e tretë të Europa League, tur ky, i cili shpërblehet me 280 mijë euro të tjera.

Në total, 940 mijë euro në arkat e Kukësit, edhe në rast eliminimi. Ndërkohë, nëse kualifikohet për në play-off e Ligës së Europës, këto të ardhura mund të rriten akoma.

Verilindorët do të gjejnë përballë, fituesen e çiftit mes Torpedo Kutaisi nga Gjeorgjia, ose Vikingur nga Ishujt Faroe. Sfida e parë mes këtyre dy ekipeve ka përfunduar me fitoren e gjeorgjianëve me shifrat e thella 3-0, dhe me shumë mundësi ky do të jetë edhe kundërshtari i radhës për Kukësin.

Edhe Torpedo Kutaisi ishte pjesëmarrës këtë sezon në turet eliminatore të Champions, por u eliminua në turin e parë nga Sherif Tiraspol, kundërshtari që ditën e djeshme në fakt u eliminua nga Shkëndija.