Nga Endri ÇINARI
Mario Mitaj është shndërruar tashmë në një titullar të përhershëm të skuadrës së Al Ittihad në Arabinë Saudite. Mbrojtësi nga Vermoshi që kaloi nga rradhët e Lokomotivës së Moskës tek skuadra e njohur arabe, tashmë po bëhet protagonist nga ndeshja në ndeshje në ekipin verdhezi. 21-vjeçari në krahun e majtë të prapavijës apo edhe si mesfushor qendror ka zhvilluar performanca për tu duartrokitur.
Këtë e vërteton edhe vlera e tij e fundit në merkato. Mëngjërashi sipas faqes së specializuar Transfermarkt, tashmë kap vlerën e 4.5 milionë eurove në merkato. Sipas përditësimit të fundit në datën 13 dhjetor, Mitaj ka kapur një vlerë rekord deri më tani në karrierë. Ku jo më shumë se para 1 viti, vlera e ish-futbollistit të AEK nuk ishte më shumë se 400 mijë euro.
Duke treguar rritjen e tij të jashtëzakonshme, ku tashmë qëndron për krah lojtarëve të një niveli botëror si Benzema apo Kante. E ndërsa tek skuadra e Al Ittihad në stol qëndron një ish-kampion bote me Francën si Laurent Blanc. Me ish-mbrojtësin që ka shprehur shpesh pëlqimin e tij për aftësitë e Mitajt e po ashtu besimin e pa lëkundur për mbrojtësin.
Gjatë këtij viti po ashtu Mitaj është shndërruar edhe në një nga futbollistët më të rëndësishëm tek kombëtarja. Ku është një titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë dhe një nga shtyllat kryesore të ekipit kuqezi./www.shkodrasport.com/