Vllaznia arriti të kualifikohej në raundin e 1/8 të kupës së Shqipërisë pas fitores kundër Flamurtarit në shifrat 3-0. Në fakt fitore që erdhi në 30 minutat shtesë nga ana e kuqebluve, pasi 90 minutat e rregullta kishin përfunduar në rezultatin 1-0. Një sukses që gjithsesi nuk qetëson 100% situatën në kampin shkodran.

Kjo pasi tifozët janë ende të pakënaqur me formën që po paraqesin të besuarit e Joses. E në veçnati edhe disa lojtarë, të cilëve iu dha mundësia të tregonin vlerat kundër vlonjatëve. Një prej të cilëve iu besua një fanellë titullari kundër bregdetarëve ishte edhe Kristijan Vulaj.

Mesfushori nga Tuzi u aktivizua nga minuta e parë kundër kuqezinjëve, por duke zhgënjyer shumë me performancën e tij. Aq sa jo vetëm tifozët e kontestuan nivelin që shfaqi numri 5, por edhe trajneri Josa e zëvendësoi menjëherë sapo filloi pjesa e dytë. Ku ish-futbollisti i Deçiçit ngeli në dhomat e zhveshjes për t’i lënë vendin Hoxhajt.

Kjo ndeshje ngre shumë pikëpyejte për formën apo edhe cilësitë reale të 24-vjeçarit. Një futbollist që u afrua me bujë në merkaton e verës dhe nga i cili pritej shumë. E në një moment kur po mbyllet faza e parë e kampionatit, Vulaj mbetet një mister.

Këtë e konfirmoi edhe dueli i dyfishtë në kupë kundër Flamurtarit ku Vulaj u aktivizua si titullar në dy takimet e pavarësisht se shënoi në ndeshjen e parë, niveli i shqiptaro-malazezit nuk bind.
Endri ÇINARI