Vllaznisë prej disa vitesh i mungonte një lojtar “10-sh” në mesfushë. Një nga ata që i japin klas futbollit me lëvizjet e tyre, por edhe pasime e frymëmarrje për shokët e skuadrës. Për të bërë këtë rol, në merkaton e verës nga drejtuesit kuqeblu u afrua Elvedin Heriç.

Mesfushori nga Bosnja kishte bindur me cilësitë e tij dhe të gjithë në Shkodër po prisnin me padurim performancat e tij. 24-vjeçari është prezantuar si titullar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni nga ana e trajnerit Brdariç.

Performancat e tij ndoshta nuk kanë qenë nga më të mirat, por niveli i lojës së boshnjakut ka ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje.

Kjo u vu re sidomos në ndeshjen e fundit kundër Dinamos, ku Heriç zhvilloi ndoshta ndeshjen e tij më të mirë për Vllazninë deri më tani. Tifozët e duartrokitën performancën e mesfushorit duke treguar se edhe ai dalëngadalë po fiton simpatinë e tyre.

Tashmë nga Heriç ndoshta pritet edhe gjetja e golit, ku me tentimet e shumta nga goditjet standarte apo nga gjuajtjet nga larg ende nuk ka pasur fat. Takimi i rradhës kundër Kukësit mund të jetë ndoshta i rradhës që një lojtar tjetër i Vllaznisë, pas Jonuzit të zhbllokohet në kampionat.
Endri ÇINARI