Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e mbylli me humbje vitin 2024 ditën e premte. Shkodranët mes 10 mungesave u mposhtën në Tiranë ndaj Partizanit me shifrat 2-0. Disfatë që nuk komplikon për momentin pozitat e kuqebluve në “top 4”. Por pavarësisht humbjes dhe lojës ndoshta jo në nivelin e duhur nga të dy skuadrat, ka qenë një lojtar që ka rënë në sy.
Fjala është për Ensar Tafilin, mesfushorin që u hodh në fushë në minutën e 43-të. Kjo pas një shqetësimi muskulor të Krymit, që gjithashtu vuajti një lëndim. Për tu kthyer tek Tafili, ai zhvilloi një lojë goxha pozitive, duke rënë në sy me ritmin dhe elegancën e tij me topin. Madje ai ka tërhequr edhe vëmendjen e skautëve të huaj që ishin të pranishëm ditën e premte në stadiumin “Arena e Demave”.
Gazeta mëson nga burime pranël lojtarit, që disa skautë sllovakë janë interesuar për 19-vjeçarin. Duke kërkuar informacione më shumë sa i përket moshës dhe karakteristikave të tij. Për momentin nuk zbulohet se nga cila skuadër sllovake vjen ky interesim. Por bëhet me dije se i përket elitës së futbollit në Sllovaki.
Ensar Tafili u afrua në merkaton verore tek Vllaznia. Ku la Partizanin për tu rikthyer edhe njëherë në vendlindje e në ekipin ku u formua si futbollist. Tashmë me merkaton dimërore që është në prag gjithçkq mund të ndodhë dhe lëvizjet e futbollistëve mund të shkaktojnë surpriza./www.shkodrasport.com/