Kampionati shqiptar i futbollit ka mbyllur fazën e parë të sezonit 2022-23 në fundjavën që lamë pas. Ekipet e elitës së vendit tonë kanë treguar vlerat e tyre deri më tani në fushë, por mund të thuhet se potenciali real ende nuk është shfaqur. Por gjithsesi statistikat e fazës së parë tregojnë Partizanin në krye me 19 pikë, me surprizën Erzeni në vendin e dytë me 15 pikë.

E treta deri më tani është Tirana po me 15 pikë, e ndjekur nga Vllaznia me 14 të tilla. Deri më tani kanë zhgënjyer Teuta në vendin e fundit me 7 pikë dhe Laçi në të parafundit me 8 pikë. Sulmi më i mirë është ai i Tiranës me 14 gola, pas tyre vjen Partizani me 12 gola të shënuar dhe me nga 9 gola në llogarinë e tyre janë ekipe si: Vllaznia, Kukesi dhe Bylis.

Sulmin më të dobët e ka Kastrioti me 4 gola, Erzeni me 5 dhe Teuta me 6. Përsa i përket repartit mbrojtës, skuadrat që kanë pësuar më pak janë: Erzeni, Kastrioti dhe Egnatia me nga 6 gola kundër. Ndërsa ekipi që ka pësuar më shumë është Teuta me 15 gola. Pas durrsakëve vijnë Vllaznia dhe Laçi me nga 10 gola në portën e tyre.

Sa i përket shënuesve më të mirë për Redon Xhixhen e Tiranës duket se nuk ka konkurrencë, sulmuesi laçian ka shënuar 10 gola deri më tani në kampionat. Pas tij vjen Skuka i Partizanit me 5 gola e ndërsa mbyll treshen e parë, Marku i Vllaznisë me 4 gola në llogarinë e tij personale deri më tani në kampionat.
Endri ÇINARI