Pas 7 muajsh pune intensive është mbyllur me sukses edicioni i dytë i kursit “UEFA Goalkeeping B”. Kursi që nisi më 4 mars 2024 u udhëhoq nga Departamenti i Edukimit në FSHF dhe u mbyll me ceremoninë e diplomimit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Plot 23 trajnerë të rinj portierësh morën diplomën e “UEFA Goalkeeping B”, që u dorëzuan nga specialistët e Departamentit të Edukimit. Nder te diplomuarit jane edhe tre shkodrane. Behet fjale per Fabio Rexhepin qe eshte trajneri i portiereve tek ekipi i Vllaznise se femrave, Ali Shpuza trajner i portiereve tek Akademia Vllaznia si dhe Bujar Celufaj, trajner portieresh prane KF Shiroka.
Në edicionin e dytë të kursit “UEFA Goalkeeping B”, morën pjesë trajnerë portierësh nga klube të ndryshme shqiptare dhe kursi u zhvillua i kombinuar me orë teorike dhe praktike.
Gjatë gjithë kursit ishin të ftuar disa lektorë të huaj si Luca Squinzzani, trajneri i portierëve në akademinë e Juventusit, Manuel Amorosso, trajneri i portierëve në akademinë e Interit, Marco Roccati, ish-portieri i disa klubeve italiane me një karrierë të suksesshme edhe si trajner i portierëve në Kombëtaret e grupmoshave të Italisë, Michael Fuchs, trajner i portiereve në Kombëtaren A të Gjermanisë për vajza, Lorenzo Fattori koordinator i portierëve në klubin e Fiorentinës dhe shumë të tjerë, të cilët ofruan eksperiencën e tyre të vyer përgjatë leksioneve teorike dhe praktike.
Me përfundimin e këtij kursi, trajnerët e diplomuar janë kandidatë për nivelin më të lartë të specializimit, atë të licencës “UEFA Goalkeeping A”, që përfaqëson një standard më të avancuar të trajnimit për portierët në fushën e futbollit. Roli i portierit është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e ekipit dhe një trajner i mirë portierësh është kyç në zhvillimin e aftësive të nevojshme për suksesin e ekipit.