Pas zhgënjimeve në fushë dhe polemikave jashtë saj, Roberto Mancini dhe stafi i tij janë pranë largimit nga Arabia Saudite. Një javë më parë, pas humbjes kundër Japonisë, Federata e Futbollit e mbështeti trajnerin, por barazimi më pas me modestët e Bahreinit ndryshoi situatën.
Për t’i komplikuar më tej gjërat, trajneri pati një përballje të ashpër me një tifoz. Raportohet se televizioni shtetëror njoftoi se federata po negocionte përfundimin e kontratës me një dëmshpërblim për trajnerin rreth 25-30 milionë Euro. Pritet autorizimi mbretëror.
Nga ambicia e madhe për të udhëhequr ekipin drejt Kupës Botërore 2030, të cilën Arabia Saudite shpreson ta organizojë, situata ka degraduar deri në frikën e moskualifikimit për turneun e vitit 2026.
Kriza u sanksionua zyrtarisht pas barazimit kundër Bahreinit, kur Presidenti i Federatës, Yasser Al Misehal, deklaroi se rezultatet e fundit janë të papranueshme dhe vendimet do të merren së shpejti.
Përveç rezultateve zhgënjyese, marrëdhënia mes trajnerit dhe skuadrës prej disa kohësh është e acaruar. Zyrtarizimi i ndarjes pritet së shpejti. Mes pasardhësve të mundshëm flitet për Zinedine Zidane.