Esat Rakiqi është nderuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me një kupë të organizuar nga Zyra Rajonale në Shkodër me drejtues Hysen Zmijanin, në nderim të tij vetëm pak muaj pas ndarjes nga jeta. Kupa ka rreth një muaj që ka nisur dhe ka kulmuar paraditen e së shtunës kur janë zhvilluar ndeshjet finale dhe janë përcaktuar fituesit e saj sipas grupmoshave. Në këtë kupë kanë marrë pjesë të gjitha ekipet e Zonës së Veriut në grupmoshat nga 9 deri 17 vjeç. Në ceremoninë përmbyllëse të kësaj kupe, kanë marrë pjesë edhe familjarë të profesor Esatit, djali i tij Artilesi, nipat etj por edhe kolegë të tij futbollistë si Selami Dani, Ramazan Rragami, Lekë Koçobashi, Rauf Çanga, Esat Egerçi, Ismet Hoxha e Fatmir Paçrami, të cilët kanë shpërndarë edhe kupat dhe diplomat për sportistët më të mirë si dhe ekipet më të mira sipas çdo grupmoshe. Lojtarët më të mirë sipas kategorive janë shpallur Orgen Marashi (Shkodra 2006) për kategorinë U-9, Aris Ara (The Door) për kategorinë U-11, Arti Bisha (The Door) për kategorinë U-13, Savio Marku (Porto) për kategorinë U-15 dhe Rejdison Gjurkaj(Vllaznia) për kategorinë U-17. Ndërkohë ekipet fituese të kupës “Esat Rakiqi” janë shpallur Shkodra 2006 për kategorinë U-9, Rozafa për kategorinë U-11, Buna për kategorinë U-13 dhe Shkodra për kategoritë U-15 dhe U-17. Sakaq vendet e dyta i kanë takuar ekipeve të The Door (U-9), The Door (U-11), The Door (U-13), Porto (U-15) dhe Vllaznia (U-17).Sigurisht që fituesit kanë rëndësinë  e tyre megjithatë më shumë vlen organizimi i një kupe të tillë në nderim të një mjeshtri të madh si Esat Rakiqi. Familjarët e tij por edhe kolegët, janë shprehur të kënaqur dhe të emocionuar me një kujtim të tillë. Kupa të tilla janë organizuar edhe më parë dhe natyrisht që është e rëndësishme të vazhdojnë edhe në të ardhmen për t’i nderuar të tilla figura sepse Shkodra në fakt i ka të shumta ato dhe nderime të tilla i meritojnë edhe kur janë gjallë.

© shkodrasport.com