Vendoset e ardhmja e Interit, ose më saktësisht vendoset e ardhmja e atyre që drejtuan zikaltërit në një sezon që iu afrua shumë mrekullisë, por që në fund u mbyll pa trofe.
Klubi zikaltër ishte përfshirë nga vorbulla e polemikave pas deklaratave të Antonio Kontes, por pas tre orësh e gjysëm mbledhje në ambientet e klubit, është vendosur që bashkëpunimi mes palëve të vazhdojë.
Që nga ora 15:00 e deri pas orës 18:00, Konte është takuar me Zhang dhe Marotën e Auzilion në zyrat e klubit zikaltër ku ka pasur një diskutim të gjatë mbi deklaratat e trajnerit se ndjehej i pambrojtur nga drejtuesit, pretendimet e tij për të ardhmen dhe planet e drejtuesve.
Duket se në fund mosmarrëveshjet janë sheshuar, të paktën për momentin, pasi në fund klubi i Interit doli me një deklaratë ku konfirmonte trajnerin në detyrën e tij.
“Mbledhja e sotme mes klubit dhe Antonio Kontes ishte konstruktive, nën shenjën e vazhdimësisë dhe ndarjes së strategjive. Nëpërmjet saj janë vendosur themelet për të vazhduar bashkë projektin”, shkruante klubi zikaltër.
Ndëkohë, sipas “Sky Sport”, në këtë mbeldhje janë konfirmuar edhe Marota dhe Auzilio, të cilët ishin vënë në dyshim pasi përtej investimeve të mëdha, klubi mbylli edicionin pa trofe. /vipsport/