Kursi i organizuar nga Federata e Futbollit për herë të parë në bashkëpunim me UEFA-n, UEFA B Fitness Coach, i cili certifikon trajnerët e përgatitjes fizike, u përmbyll me sukses këtë javë.

Në këtë kurs morën pjesë 33 kandidatë, ndër të cilët disa janë aktualisht trajnerë të përgatitjes fizike në skuadra të “Abissnet Superiore”, ndërsa të tjerët e ndoqën për herë të parë një trajnim të tillë. Në mes të certifikuarve është edhe trajneri aktual i Vllaznisë Aurel Locaj, ai i Akademisë Vllaznia Fation Kadija si dhe trajneri i KF Shkodra Rudi Piraniqi.

Kursi UEFA B Fitness Coach filloi në muajin shtator dhe përfundoi më 16 dhjetor, kur u mbajt edhe provimi përfundimtar. Përgjatë 4 muajve u zhvilluan 4 blloqe trajnimesh teorike dhe praktike, ku 3 prej tyre u monitoruan nga delegati i UEFA-s, Chris Barnes, i cili dha feedback dhe sugjerime të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të programit.

Ky kurs përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të trajnerëve të përgatitjes fizike dhe në përmirësimin e cilësisë së stërvitjes në futbollin shqiptar. Fokus i veçantë përgjatë leksioneve dhe praktikave iu dha futbollit të vajzave dhe të rinjve.

Së shpejti do të publikohen datat e reja të kursit për vitin 2025, ku të interesuarit mund të marrin informacion mbi proçedurat e regjistrimit, tarifat dhe strukturën e kursit.