Rikonstruksioni I pallatit të sportit “Qazim Dervishi” më në fund ka përfunduar dhe nga dita e djeshme ekipet e lojërave me dorë kanë nisur stërvitjen në të. I pari që ka shkeluar në parketin e saposhtruar të tij, ka qenë ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Trajneri Bledar Gjeçaj bashkë me sportistët e tij kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore duke u munduar të përshtaten sa më shpejt me ambjentin e ri ku do të luajnë ndeshjet zyrtare të Ligës Ballkanike. Pas ekipit të basketbollit të meshkujve, aty kanë zhvilluar seancat stërvitore edhe ai I femrave si dhe dy ekipet e volejbollit.
Duhet pranuar fakti se rikonstruksioni I pallatit të sportit, u ka krijuar shumë probleme të gjithë këtyre ekipeve të cilët nuk kanë patur ambjente për stërvitje. Ato janë stërvitur prej muajsh në qiell të hapur duke zhvilluar kryesisht përgatitje fizike në pistën e stadiumit. Megjithatë ajo sakrificë duket se ia vlen sepse “Qazim Dervishi” ka marrë një formë krejt tjetër. Jo vetëm sa I takon parketit por edhe ambjenteve të tjera duke e bërë atë mjaft komod jo vetëm për sportistët por edhe për tifozët që do të ndjekin ndeshjen e ekipeve të lojërave me dorë.
www.shkodrasport.com