Megjithëse sporti mbetet një nga aktivitetet më me shumë vëmëndje në të gjithë botën, në Kelmend ndodhte krejt e kundërta. Organizimi i Logut dhe aktiviteteve të tjera kulturore gjatë muajit gusht bënte që sporti të kalonte si në hije dhe me krejt pak vëmëndje.

Prezenca aktuale e pandemisë, e cila kushtëzoi edhe anullimin e organizimit të Logut të Bjeshkëve nga pushteti vendor, bëri që këtë vit t’i linte hapsirë të plotë vëmëndje Spartakiadës 2020 e në veçanti lojës së fotbollit, e cila nisi aktivitetin e saj me 16 gusht e përfundoi me 29 të po këtij muaji me përcaktimin e skuadrës fituese.

Megjithëse krejt pak i njohur jashtë Kelmendit ky organizim kishte një histori e kronologji arritjesh në të cilën lanë gjurmë sportistë të shquar për Kelmendin e që mbeten shembull për tu ndjekur nga sportistët e rinj në rrjedhën e viteve.

Spartakiada e Kelmendit i ka fillesat e veta që në vitin 1960, kohë kur u përcaktua edhe rregullorja, e cila është ruajtur e pacënuar, deri me sot, ndër to edhe vend organizimi në Qafen e Predelecit.

Veç futbollit në spartakiada zhvillohen edhe shumë lojra olimpike si, volejbolli për djem e vajza, hipizmi, vrapimi me pengesa, hedhja e gjyles, vrapim 100 dhe 400 m për vajza dhe djem etj. Megjithatë vëmëndje më të madhe ndër gjithë këto sporte merrte futbolli.

Sipas rregullores së këtij sporti shorti hidhet gjithmonë dy javë përpara nisjes së Spartakiadës ku marrin pjesë të gjashtë skuadrat. Në gjysëm finale mbërrijnë tre ekipe ku njëra prej tyre del në finale direkt në baze të pikëve ose me short, kurse skuadra tjetër finaliste përcaktohej nga loja e dy skuadrave, të cilat rënditen në bazë të pikëve në gjysëm finale.

Megjithëse në kushte aspak të favorshme edhe në spartakiaden e Kelmednit 2020 morën pjesë të gjitha skuadrat tradicionale të futbollit, të cilat përfaqsojnë 6 fshatrat kryesore, ku secila skuadër mbart emrin e fshatit përkatës. Tamarë, Selcë, Lëpushë, Vermosh, Vukel dhe Nikç.

Një rol të rëndësishëm në organizimin e këtij aktiviteti sportiv ka luajtur gjithnjë këshilli sportiv, i cili aktualisht drejtohet nga z.Prek Vat Vushaj nga Vermoshi, dhe përbëhet nga përfaqsues veteran, ku secila skuadër kishte përfaqsuesin e saj në këtë këshill.

Për Tamaren përfaqesues z.Gjergj Vaçaj, për Selcën përfaqsues z.Gjergj Bunjaj dhe z.Kolë Tataj, për Lëpushen përfaqsues z.Nikoll Grishaj, për Vermoshin përfaqsues z.Prek Vata, për Vuklin përfaqsues z.Tomë Nilaj dhe për Nikçin përfaqsues z.Gjelosh Preldakaj.

Sipas ekspertëve të gjitha skuadrat kishin bërë një përgaditje të kënaqshme, ku spikatën për një lojë të bukur skuadrat e Vermoshit, Selcës dhe Vuklit, të cilat falë edhe kësaj loje arritën të shkojnë në gjysëm finale.

Në bazë të shortin paraprak u ndeshën skuadrat:

– Vukel – Nikç e cila përfundoi me rezultati 4 : 1

– Selcë – Tamare që përfundoi 0 : 0

– Vermosh – Lëpushë që përfundoi 2 : 1

Ne gjysëm finale shkuan skuadrat:

Vermoshi doli automatikisht me short ne finale kurse ne loje u ndeshen skuadrat:

– Selcë – Vukel që perfundoi me rezultatin 2 : 2 dhe në 15 minutat shtesë fitoi skuadra e Selcës.

Në finale u ndeshën skuadrat Selcë – Vermosh e cila perfundoi me rezultatin 3 : 2 me golshenuesa Leon Vuktilaj 2 gola për Vermoshin dhe për Selcen pati 1 gol u shenuar nga Florjan Shqutaj dhe 2 gola te shenuar nga Emanuel Mitaj duke i dhene keshtu edhe fitoren skuadres se tij.

Si golashënuesit më të mirë u cilësuan:

Për Selcen – Emanuel Mitaj, për Vermoshin – Leon Vuktilaj, për Vuklin – Dritan Gjela dhe për Nikcin – Noraldo Delaj.

Ndër lojtarët më të mirë aktual për secilën skuadër u përmenden:

Për Tamaren, kapiteni Taulant Vaçaj dhe lojtarët Renaldo Vacaj e Emanuel Gjelaj.

Për Selcën, kapiteni Endrit Bujaj dhe lojtarët Emanuel Mitaj e Fatjon Mitaj, ku merita të veçanta ka Luçjano Lumaj, i cili aktualisht është edhe anëtar i skuadrës së Veleçikut.

Për Lëpushen, kapiteni Nikollë Grishaj dhe lojtarët Paulin Nilaj dhe Valter Dragu.

Për Vermoshin, kapiteni Kujtim Bujaj dhe lojtari Refael Vukaj.

Për Vuklin, kapiteni Mirush Vuçinaj dhe lojtarët Martin Dacaj e Mikel Nilaj.

Për Nikçin, kapiteni Gjelosh Preldakaj dhe lojtarët Pjetër Preldakaj e Valentin Preldakaj, Ardit Gjerkaj dhe Noraldo Delaj.

Të gjitha ndeshjet edhe këtë vit u zhvilluan në fushën e futbollit në Qafen e Predelecit, ku u gjykuan nga sportistë me përvojë vendas, antarë të këshillit sportiv aktual, në prani të dashamirësve të sportit vendas e të huaj, pasi nuk munguan as pushuesit, turistët, si dhe miqtë e ardhur enkas nga qyteti.

Një aktivitet i mirë organizuar dhe aspak amator, pasi gjithçka fliste me didaktikën dhe gjuhën shkencore që përcakton kjo disiplinë kulturore mjaft e dashur për të gjithë, së cilës i janë përmbajtur deri në detaje edhe këta malësor, për çka meritojnë një admirim dhe vëmëndje të shtuar edhe nga instancat shtetërore të këtij sporti, pse jo edhe mbështetje monetare dhe morale, qoftë edhe për t’i stimuluar në punën e tyre mjaft kuptimplotë për kohën dhe realitetin që jetojmë, pasi falë këtij aktiviteti sportiv ne diktojmë shumë çka mbi të vërtetat sociale dhe kulturore të këtij teritori dhe këtyre banorëve.

Sipas korespodentit Ardit Gjerkaj, i cili përveçse sportist premton shumë për të qenë edhe një gazetar sportiv, shpjegon se ndër vite në Kelmend ka patur lojtarë mjaft të talentuar, të cilët bënë epokë sidomos pas viteve 70 ku me të mirët e skuadrave Nikç e Vukel të bashkuar në një skuadër të vetme, janë ndeshur edhe me skuadra mjaft të forta në rrethe të asaj kohe, ku si të fundit fitore e kanë arritur në ndeshjen me Veleçikun.

Sipas tij ndër yjet e futbollit për Kelmendin mund të permendim për Nikçin sulmuesit Ndue Neçaj dhe Kole Preldakaj nga Vukli, sulmuesin Ndok Nilaj dhe mbrojtësi Gjokë Nilaj, nga Vermoshi lojtarët Zef Naçaj dhe Prek Vushaj, nga Lepusha lojtarët Gjokë Pëllumaj

dhe Nikoll Grishaj, nga Selca lojtarët Gjergj Bujaj dhe Kolë Tataj, nga Tamarja lojtarët Prel Kapaj dhe Gjergj Vacaj si dhe mjaft lojtarë nga skuadrat e tjera, të cilët sot përbëjnë këshillin sportiv të Kelmendit të cilët me aftesinë dhe mjeshtrinë e treguar në lojë kanë marrë vëmëndje edhe nga tranierët më me zë të asaj kohe, ku sa herë zhvillohej spartakiada ata ishin të pranishëm në ndjekjen e saj.

Një meritë të veçantë në ruajtjen e ketij organizim kanë bashkëvllaznit kelmendas me banim në SHBA, ku do veçoja Shoqatën “PREK CALI”, Shoqatën Atdhetare “KELMENDI”, të cilët financojnë në mënyrë të pa ndërprerë aktivitetet kulturore dhe artistike që zhvillohen në Kelmend e jo vetëm. Ata kanë merita të jashtzakonshme edhe për ruajtjen dhe trashëgimin e këtyre traditave ndër breznitë e reja që lindin e rriten në mërgim, çka u jep kelmendasve dinjitet dhe fisnikëri të pashoq, ku jo rrallë organizojnë evente kulturore dhe sportive në mërgim, sikurse në Kelmend.

Një kontribut individual në ruajtjen e kesaj tradite dhe organizimin e këtij aktiviteti kanë:

Intelektuali dhe gazetari i mirënjohur z.Rush Dragu me televizionin e tij “AlbDreams”, kantautori i mirënjohur z.Luigj Tinaj, këngetarja e talentuar Lisa Bujaj, atdhetari Tomë Smajlaj, këngëtari Ylli Isufaj, valltari Sebi Tinaj, atdhetari Flamur Tinaj e shumë e shumë kelmendas të mirë që sy e zemër i kanë të pashkëputur nga Kelmenndi.

Në përshkrimin e kësaj sportakiade deri ne detaje ndihmuan znj.Dila Vacaj, aktiviste e shquar e evenimenteve kulturore në Kelmend e më gjërë, si dhe drejtuese e Shoqatës “Jehona e Kelmendit”, si dhe z.Petrit Vuçinaj, i cili na mundësoi edhe pamjet.
Përgatiti: Rita Shkurtaj