Futbollistët në gjithë botën do të jenë të detyruar që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre për një periudhë të gjatë kohore si pasojë e koronavirusit. Por gjatë kësaj periudhe, duhet që të ruajnë gjendjen më të mirë fizike, në mënyrë që të jenë gati për t’u kthyer në fushën e lojës kur t’i kërkohet.

Sugjerimet se çfarë duhet të bëjnë i jep edhe Luixhi Febrari, përgatitësi atletik i përfaqësueses shqiptare të futbollit, i cili prej shumë vitesh ka ndjekur kudo Edi Rejën në eksperincat e tij në pankinë, përfshirë skuadra si Napoli, Atalanta e Lacio.

“Kjo është një situatë e padëgjuar ndonjëherë, nuk na lejuan që të udhëtonim drejt Shqipërisë. Jam në shtëpinë time në Breshia. Tani nuk di të them se kur do të kthehemi të luajmë. Ky është një fenomen i pabesueshmë. Ka ndryshuar përditshmëria dhe të gjithëve u është dashur që të ndryshojnë mënyrën e jetesës. Ishte e nevojshme që të ndalej edhe futbolli e të merreshin masat e duhura për të frenuar këtë virus”, tha ai në intervistën e tij për “Repubblica”.

Po stërviten të gjithë në shtëpi, a është e drejtë?

Sigurisht. Një futbollist është një atlet i nivelit të lartë. Duhet ta cilësojmë si një Formula 1 për të cilën duhet kujdesur deri në detajet e vogla. Duhet administruar kjo periudhë e mungesës së aktivitetit.

Si ndryshon puna e tyre?

Shumë. Mungojnë stimujt të cilët arrijnë të nxjerrin më të mirën në faktorët e ekzekutimit të ushtrimeve. E kam fjalën për komponentët tekniko-taktik dhe fizik të cilët në futboll janë thelbësorë.

A i ngjan kjo ndalesë fazave përgatitore?

Absolutisht jo. Në atë rrethanë ka një tabelë pune të programuar për ta ndjekur në vende më të përshtatshme dhe me mjetet e stërvitjes të duhura sipas planit të caktuar nga stafi teknik.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Futbollisti po punon në një situatë të vështirë, ndoshta brenda një apartamenti. Është më me fat ai që mund të shfrytëzojë një oborr.

Çfarë lloj ushtrimesh bëhen në kushtet e shtëpisë?

Është e domosdoshme që të sigurojnë një pistë lëvizëse vrapimi, ku të mund të zhvillojnë llojet e vrapimeve që përgatitësi me siguri u ka caktuar si dhe punën me mjetet e forcës që mund të gjejnë. Mund të përdoret edhe fantazia, duke vrapuar lart e poshtë në shkallë për shembull.

Po në oborr?

Sigurisht është e mundur që të zhvillohet më mirë programi i stafit teknik pasi ka më shumë hapësirë.

Bashkëpunimi i lojtarëve është thelbësor…

Them se po. Një lojtar i imi nuk duhet të më thotë kurrë se në këtë periudhë maksimumi ka marrë një kanoçe nga frigoriferi. Sjellja e duhur është ndryshe.

Cila?
Të ngjitet në shkallë me shpejtësi të ndryshme me qeset e ushqimeve të mbushura me shishe uji.

Duhet pasur kujdes edhe mënyra e ushqimit apo jo?

Sigurisht. Por të gjitha skuadrat e Serisë A e kanë menduar këtë, jam i sigurt. /vipsport/