Një futbollist që ëndërron kombëtaren duhet me patjeter të aktivizohet në ekipet jashtë Shqipërisë. Në përballjet e ekipeve shqiptare në kompeticionet europiane quhet sukses kalimi i një turi. Një ekip si Dinamo me 10 ditë stërvitje përballon me sukses ekipin kampion. Këta shembuj që nuk janë të vetmit në njëfarë mënyrë janë përgjigja më e mirë se çfarë niveli ka futbolli shqiptar.

Dhe pa dyshim që jemi shumë larg nivelit të futbollit perëndimor. Një nga komponentët që ndikon direkt në këtë disnivel me futbollin perëndimor është edhe kondicioni fizik i futbollistëve tanë. Sot futbolli modern perëndimor është bërë shume atletik. Sipas statistikave një futbollist i tillë mesatarisht ecën, vrapon me shpejtësi të ndryshme rreth 11 km, mund të kryejë deri në 1000 lëvizje, forca e goditjes së topit mund ta zhvendosin me një shpejtësi që i kalon 100km/orë. Sigurisht në mungesë të aparaturave nuk mund të thuhet me siguri se sa vrapojnë futbollistat shqiptar, por duke u bazuar në faktet e mësipërme mund të themi se jemi larg këtyre parametrave të homologëve europian. Personalisht mendoj se jemi në këto nivele se asnjëherë cilësitë fizike nuk trajtohen seriozisht dhe në mënyrë profesionale. Dhe kjo ndodh përgjatë gjithë rrugëtimit e të bërit futbollist, që nga hapat e parë e deri në fund të karrierës.Trajtimi sipërfaqësor dhe i përgjithshëm i cilësive fizike në vazhdimësi, pamundësia e trajtimit me programe individuale sipas moshës, pozicionit dhe ecurisë së cilësisë fizike padyshim që do prodhojë këtë nivel që ka sot futbolli shqiptar. Rezultatet e këtij fillim kampionati të Superligës shqiptare janë tregues  pak a shumë i të njëjtës punë e cila zhvillohet në fazën përgatitore. Dallimet ndërmjet ekipeve në drejtim të kondicionit fizik janë të papërfillshme. Mënyra se si lëvizin,sa lëvizin futbollistët tanë është pothuajse e njejtë. Shihet shumë pak ai dy-tre hapëshi i parë shpërthyes i cili është determinant për të zgjidhë situatën. Dhe më kryesorja cilësitë fizike tek një futbollist nuk janë në harmoni me njëra- tjetrën. Tek ekipi i Vllaznisë për shembull kemi një Hasan shumë rezistent dhe të fuqishëm, një Vajush shumë të shpejtë me një frekuencë hapi mjaft të mirë dhe një Sukaj me një kohë reagimi fantastike dhe një gjuajtje shumë të fortë dhe të saktë.Fatkeqësisht asnjeri si ka të tria cilësitë në harmoni me njëra tjetrën. Të njëjtat problematika do të mbeten gjithmonë në qoftë se nuk ndërhyjmë për t’i përmirësuar me metodat e duhura.

Opinion nga

Arben Parmeza