Ngjarja e rëndë ku një sherr mes adoleshentësh ka përfunduar me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ka tronditur të gjithë opinionin publik në Shqipëri.

Komuniteti i futbollit është prekur direkt nga kjo ngjarje, pasi 14-vjeçari i cili mbeti viktimë e një sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, ishte futbollist i ekipit U15 të Dinamos.

FSHF i është drejtuar UEFA-s me kërkesën që të nderohet djaloshi i vogël në ndeshjen e sotme që Kombëtarja kuqezi zhvillon në “Arenën Kombëtare”. Normalisht, organizata ndërkombëtare është ajo që përcakton nëse miratohen kushtet apo jo që të dekretojë mbajtjen e një minute heshtje para sfidave në aktivitetet që organizon.

Përgjigja ka qenë pozitive ndaj sot, para takimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, në stadium do të mbahet një minutë heshtje për këtë tragjedi të rëndë, si një përkujtim për djaloshin e ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta, por si një kambanë alarmi që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.