Ish-futbollisti i Vllaznisë, Albert Kaçi, aktualisht trajner në ekipet e moshave të akademisë “Vllaznia”, ka kërkuar që skuadra shkodrane në pjesën e mbetur të sezonit të ketë edhe ndihmën e Zotit.
Për Kaçin, situata në të cilën gjendet Vllaznia krahasohet me atë që po kalojnë familjet e përmbytura në rrethin e Shkodrës.
Me këtë paralelizëm të Kaçit, Vllaznia është ende nën ujë dhe akoma nuk ka dalë nga faza kritike për të qenë e sigurt për të ardhmen.
“Ndoshta nuk është krahasimi i saktë, por unë do të thosha se nuk dimë për kë të lutemi në këto momente në Shkodër.
Po lutemi që Zoti të jetë në ndihmë të familjeve të përmbytura në rrethin tonë, por nga krahu tjetër po lutemi edhe për Vllazninë, që ajo të mos vuajë deri në fund të sezonit për të mbijetuar në Superiore.
Në të dyja rastet duhet ndihma e Zotit që t’i shpëtojë si familjet e përmbytura, po ashtu edhe Vllazninë.
Shpresoj që në të dyja rastet, Zoti të jetë me ta, në mënyrë që të jemi të gjithë të qetë. Vllaznia është pjesë e pandarë e këtij populli.
Normalisht, të gjithë janë besimplotë për të ardhmen, por përveç kontributit të lojtarëve në fushën e lojës, duhet patjetër edhe ndihma e Zotit që të shpëtojë Vllazninë nga rënia në një kategori më poshtë”, u shpreh fillimisht Albert Kaçi.
RIVALITETI
Për ish-futbollistin kuqeblu, përveç Vllaznisë dhe Teutës, një tjetër skuadër mund të përfshihet në luftë për qëndrimin në Kategorinë Superiore.
Pavarësisht se ndodhet 7 pikë larg Vllaznisë, sipas Kaçit, skuadra e Kamzës mund të jetë një ndër kandidatet që mund të rrezikojë qëndrimin në këtë kategori.
“Për momentin, vetëm dy skuadra shikohen si më të rrezikuarat për të shoqëruar Lushnjën në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Vllazninë dhe Teutën, por unë nuk do të përjashtoja edhe Kamzën.
Vetë takimet e fundit kanë treguar një luhatje të kësaj skuadre. Mund të them se ndryshe nga starti, që bëjnë skuadrat që vijnë nga Kategoria e Parë, ata shfaqin probleme në pjesën e fundit të sezonit.
Prandaj, luftën për mbijetesë e shikoj mes këtyre tri skuadrave. Por, ajo që ka shumë rëndësi është që Vllaznia të bëjë mirë punën e saj si ekip.
Të besuarit e trajnerit Gjoka nuk duhet të gabojnë, sidomos në takimet në fushën e tyre. Përndryshe, gjithç- ka mund të vështirësohet takim pas takimi”, vijoi ishmesfushori.
SKËNDERBEU
Në fund të fjalës së tij, ishmesfushori shkodran ka folur edhe për takimin me Skënderbeun.
Sipas Kaçit, skuadra nuk duhet të kërkojë asnjë rezultat tjetër veç fitores, pavarësisht mungesave që janë të pranishme për këtë takim.
“Të gjithë e dinë se, të mundësh një skuadër si Skënderbeu, nuk është e lehtë, aq më tepër kur ekipi ka kaq shumë mungesa në përbërje të tij. Por unë do të thosha që asnjë nuk është e pamundshme.
Djemtë kanë treguar se po të japin shpirtin, mbi të gjitha, duan të arrijnë rezultatet. Unë shpresoj se do ta bëjnë një gjë të tillë.
Nuk ka asnjë dyshim që luajnë përballë ekipit më të mirë të Shqipërisë, por ky sezon ka treguar se nuk ka asgjë të pamundur.
Unë besoj te kjo skuadër, pasi ka treguar se dinë të marrin edhe rezultate pozitive”, përfundoi Albert Kaçi. /panorama- sport/