Ne historine e Vllaznise, fanellen e saj e kane veshur shume futbolliste joshkodrane dhe sidomos pas viteve ’90. Ka patur prej atyre qe nuk kane lene asnje gjurme, te tjere qe kane dhene kontribut ne fitimin e trofeve te kuqebluve dhe po ashtu edhe te tjere futbolliste qe jane pelqyer nga tifozet per shkak te asaj çfare kane treguar ne fushe.
Njeri nga keto te fundit eshte padyshim mesfushori- sulmues lezhjan Leonard Perloshi. Ai sot feston 48 vjetorin e lindjes dhe “Shkodra Sport” perveç urimit per ditelindjen e tij, ka zhvilluar edhe nje interviste me kete personazh te njohur te futbollit pas viteve ’90.
Perloshi e ka nisur karrieren tek Beselidhja nderkohe qe ne vitin 1995 do te kalonte ne Bullgari ku luan per disa muaj me Sllavia e Sofjes, nderkohe qe pas rikthimit ne Shqiperi luan per nje sezon me Flamurtarin e Vlores. Me pas kalon tek Partizani, para se te kalonte ne Greqi ku luan per ekipin AO Kerkyra.
Do te vinte ne Shkoder ne veren e vitit 1998 dhe do te luante per Vllaznine deri ne fillim te shkurtit te vitit 2000 duke u aktivizuar ne 32 ndeshje me fanellen kuqeblu, duke shenuar edhe 4 gola. Me pas do te kalonte ne Rumani tek ekipi Petrolul, ndersa me pas do te luante edhe per Beselidhjan, Flamurtarin, Laçin dhe do ta mbyllte karrieren ne vitin 2006 tek skuadra e qytetit te tij, Beselidhja e Lezhes.
Shume skuadra, shume emocione, por Loni siç e therrasin te gjithe, duket se emocionet me te medha i ka patur pikerisht duke luajtur ne “Loro Boriçi” me Vllaznine. E pranon kete gje ne prononcimin e tij per gazeten “Shkodra Sport”:
– Perloshi 20 vjet me pare keni luajtur per dy sezone me Vllaznine. Ruani ende kujtime te bukura prej asaj kohe?
– Normalisht qe ato kujtime i ruaj ende edhe sot te fresketa. Nuk ka si te jete ndryshe sepse na deshi Shkodra, na deshi ish- presidenti Myftar Çela.
– Ju vjen keq qe ne sezonin 1998-99 e humbet titullin kampion vetem ne fund?
– Sigurisht qe me vjen keq sepse ishim shume prane titullit kampion. Por nga sa mbaj mend, nje humbje ne Burrel na kushtoi shume. Ne ate ndeshje Burreli luante per Tiranen dhe na mbyti me nje loje te rende. Arbiter ishte Bujar Pregja dhe ndonese vendasit benin mundje ndaj nesh, nuk kishte asnje faull. Madje Pregja na anulloi edhe nje gol mese te rregullt qe shenoi Miloti.
– Nuk arritet do te fitoni as Kupen ndonese shkuat ne finale. Per nje futbollist kur humbet ndeshje te tilla kuptohet qe ndjen keqardhje te madhe apo jo?
– Me shume se per vete, me erdhi keq per tifozet shkodrane qe e deshironin shume ate sukses dhe po ashtu edhe per ish- presidentin Myftar Çela, nje njeri i rralle i cili me ka dashur shume.
– Gjate karrieres tende, perveçse me Vllaznine ke luajtur edhe me shume skuadra te tjera. Me cilen ke provuar me shume emocione?
– Me te gjitha skuadrat kam perjetuar emocione te shumta, por ne fakt Vllaznia ka qene e veçante per mua sepse ishte shtepia ime e dyte. Per me teper, qe femije kisha enderruar veshjen e fanelles se saj nje dite dhe kur kjo u be realitet, isha shume i lumtur.
– Nderkohe tashme pas 20 vjetesh eshte djali juaj- Alesio, eshte bere pjese e Akademise Vllaznia. Ishte deshira juaj per ta sjelle edhe ate ne Shkoder apo vete ai?
– Me duhet ta pranoj se ka qene nje deshire e madhe e imja prej vitesh, pavaresisht se e kam mbajtur te fshehur dhe nuk ia ka thane kujt. Kjo ngaqe nuk isha i bindur se djali im do ta perfaqesonte si duhet ate fanelle. Ka nisur te luaje me ekipin U17 te Akademise Vllaznia megjithate une prape nuk jam i kenaqur dhe pres me teper prej tij.
– Edhe Alesio luan ne sulm, mendon se do te kete nje karriere edhe me te mire se ti?
– Une besoj se do te beje me mire se une sepse e kam pasion te madh futbollin nderkohe qe une siç dhe ju e dini, shpeshhere nuk i kam marre seriozisht gjerat. Alesio ka disa te dhena me te mira se çfare i kam patur une ne moshe te tij dhe e perseris, e ka me shuma pasion futbollin.
Gjergj KOLA