U përmbyll me sukses edicioni i parë i kursit për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping”, një kurs i i organizuar nga Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kursi nisi në muajin janar të këtij vitit dhe në përfundim u diplomuan plot 28 trajnerë, ndër të cilët edhe dy vajza, të cilat janë portiere të ekipit Kombëtar A, Viona Rexhepi dhe Antigoni Hyska. Po ashtu janë licensuar edhe dy trajnerët shkodranë Ideal Lekiqi dhe Elvis Legataj.

Kursi “UEFA B Goalkeeping” u drejtua nga janë emra të njohur të fushës së trajningut të portierëve në Shqipëri, si trajneri i portierëve të ekipit kombëtar A, Ilir Bozhiqi, Përgjegjësi i Sektorit të Portierëve në FSHF, Erion Meta dhe disa lektorë të huaj, si Antonello Brambilla, Martin Thomas, Gaetano Petrelli e Patrick Foletti, të cilët ofruan eksperiencën e tyre të vyer përgjatë leksioneve teorike dhe praktike. Pjesëmarrësit në këtë kurs ishin trajnerë portierësh nga klube të ndryshme shqiptare, por edhe disa nga anëtarët e stafeve të ekipeve kombëtare të moshave.

Pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit, pjesëmarrësit vlerësuan FSHF për organizimin e kursit “UEFA B Goalkeeping” i cili u zhvillua për herë të parë në vendin tonë. Në Sektorin e Edukimit në FSHF është ngritur prej disa kohësh një Sektor i posaçëm për Zhvillimin e Portierëve, që synon të rrisë nivelin e trajnerëve të portierëve, duke i ofruar atyre formimin bashkëkohor rreth stërvitjes së portierit modern. Një nga synimet kryesore të këtij kursi është rritja e numrit të portierëve nëpër klube dhe akademi dhe klube e rrjedhimisht nivelin e portierëve të rinj.

“UEFA B Goalkeeping” i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli.