Rëndimi i situatës së përmbytjeve në një pjesë të madhe në NënShkodrës, ka bërë që të vihet në dyshim edhe zhvillimi i ndeshjes Pogradeci- Ada që do të zhvillohet të mërkurën. Madje, nëse vazhdon kjo situatë, mund të rrezikohet edhe ndeshja tjetër, ajo e fundjavës me Mamurrasin. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i klubit Alfred Pjetri që për mediat është shprehur: “Që nga mbrëmja e së dielës, situata sa i takon përmbytjeve ka ardhur duke u rënduar. Nëse deri  dje, për në Velipojë është kaluar përmes një rruge dytësore, pasi rruga kryesore ka qenë e mbuluar nga uji, kjo gjë tashmë ka ndodhur edhe me rrugën e dytë. Në këtë mënyrë, ne jemi izoluar në Velipojë sepse asnjë mjet transporti nuk mund të lëviz drejt Shkodrës. Në kushte të tillë, gjysma e lojtarëve të ekipit që janë nga Velipoja si dhe stafi drejtues, në kushte të tilla nuk mund të udhëtojnë për ndeshjen e rradhës. E them këtë, gjithnjë nëse situata e përmbytjeve do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në dy ditët në vazhdim, sepse nëse ajo përmirësohet sigurisht që do të udhëtojmë drejt Pogradecit. Megjithatë ne po flasim në kushtet aktuale kur rruga është e pakalueshme. Prandaj dhe kemi njoftuar që sot Federatën për këtë situatë dhe po ashtu kërkojmë të gjejmë edhe mirëkuptimin e drejtuesve të Pogradecit për këtë situatë kritike që po kalojmë në mënyrë që ata të na mirëkuptojnë dhe të pranojnë shtyrjen e ndeshjes. Marëdhëniet me këtë skuadër kanë qenë shumë të mira prej vitesh dhe nuk besoj se do gjejmë kundërshtim për shtyrjen e kësaj ndeshje duke shpresuar që të mos ndodhë e njëjta gjë deri në fundjavë me përmbytjet sepse mund të shtyhet edhe ndeshja tjetër me Mamurrasin që ka për t’u luajtur në Velipojë”. Në kushte të tilla, duket se do përsëritet situata e dy viteve më parë kur po në rastin e përmbytjeve të kaluara, ka qenë e njëjta situatë dhe një ndeshje e Adës u pat shtyrë për disa ditë. Velipoja bën pjesë në zonën e përmbytur edhe këtë herë dhe situata prej më tepër se dy javësh nuk sheh përmirësim madje ditët e fundit, ajo ka ardhur duke u përkeqësuar teksa niveli i ujit është rritur edhe më shumë.

www.shkodrasport.com