Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë në dy ditët e fundit në të gjithë vendin, vazhdojnë të krijojnë probleme edhe tek zhvillimi normal i kampionateve të futbollit. Dhe problemet nuk kanë ndodhur vetëm në Vlorë ku pasditen e së shtunës u ndërpre në mes ndeshja Flamurtari- Laçi. Ditën e sotme nuk janë zhvilluar dy ndeshje të kampionateve të moshave që duhet të luheshin në Laç.

Bëhet fjalë për ndeshjet e ekipeve të Akademisë Vllaznia të cilat do të luanin në këtë qytet ndaj ekipeve respektive vendase të kategorive U-17 dhe U-19. Ekipet e klubit shkodran janë nisur herët mëngjesin e së dielës drejt Kurbinit por sapo ato kishin kaluar Lezhën, janë njoftuar nga përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit se ndeshjet nuk do të zhvilloheshin. Arsyeja ka qenë gjendja shumë e rënduar e fushës sportive ku do të luheshin këto takime. Në fakt, qyteti i Laçit ditën e djeshme ka patur përmbytje të mëdha si pasojë e reshjeve të rëna të shiut dhe në këtë mes, nuk ka qëndruar pas as fusha sportive. Për këtë arsye, ekipet e Akademisë Vllaznia janë detyruar të kthehen nga rruga sërish në Shkodër duke mos qenë në gjendje t’i luajnë këto takime. Tashmë do të jetë në dorën e Federatës për të caktuar datën se kur do të luhen ato. Në fakt, më shumë sesa probleme me reshjet sesa këtë vit nuk mbahet mend të ketë ndodhur asnjëherë më parë këto vitet e fundit. Shtyrja e shumë takimeve i ka bërë lëmsh kalendarët e kampionateve dhe kjo ka krijuar njëfarë kaosi në mbarëvajtjen e tyre.

www.shkodrasport.com