Duke parë situatën e rëndë të krijuar anembanë Shqipërisë, pas përmbytjeve të shkaktuara prej shiut të rrëmbyeshëm që ka rënë dhe vazhdon të bjerë, Federata Shqiptare e Volejbollit ka vendosur të shtyjë ndeshjet eliminatore të Kupës së Shqipërisë për femra. Kjo fazë eliminatore, sipas kalendarit, duhet të zhvillohet më datat 1, 2 dhe 3 dhjetor, Grupi A në Tiranë dhe Grupi B në Durrës, por FSHV ka vendosur t’i shtyjë ato për një moment të dytë. Kalendari i ndeshjeve eliminatore për meshkuj nuk ka asnjë ndryshim, pasi ato do të luhen fundjavën e ardhshme, më 8, 9 dhe 10 dhjetor.
Në këtë mënyrë ekipet e Sportklub Vllaznia, si ato të meshkujve ashtu edhe ai i femrave do të kenë edhe një javë më shumë në dispozicion për t’u përgatitur për këto ndeshje. Sigurisht që objektivi i djemve është për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni ndërsa tek femrat është paksa më e vështirë pasi edhe kalendari është jo shumë i favorshëm që në grup.
© shkodrasport.com