Pasditen e së enjtes në stërvitjen e zhvilluar në fushën sportive të Shtojit, ka patur një moment të pakëndshëm. Gjatë një momenti të lojës së zhvilluar Brenda përbrenda skuadrës, mesfushori shkodran Edon Hasani ka bërë një ndërhyrje të rëndë ndaj sulmuesit tiranas Vilfor Hysa. Si pasojë e kësaj ndërhyrje, ky I fundit pa pësuar një çarje në pjesën sipër vetullës. Pas këtij dëmtimi ka marrë situatën në kontroll stafi mjekësor dhe për rrjedhojë, për Hysën ka patur dy qepje në vendin e dëmtuar. Gjërat janë normalizuar pas kësaj por jo për stafin drejtues. Trajneri Shpëtim Duro nuk ka dashur ta lërë me kaq. Ai ka pezulluar nga stërvitja Hasanin. Arsyeja ka qenë sepse të gjithë kanë menduar që mesfushori shkodran ka ndërhyrë me dashje ndaj sulmuesit tiranas. Pikërisht kjo gjë nuk ka lënë një shije të mirë tek futbollistët apo dhe ato pak tifozë që kanë qenë duke ndjekur stërvitjen.
Paralajmërimi. Drejtuesit e klubit me të marrë vesh atë çfarë ka ndodhur, kanë dashur të dëgjojnë palët. Për këtë qëllim, dje paradite menjëherë pas përfundimit të stërvitjes, në zyrat e klubit ka mbërritur edhe trajneri Duro por edhe futbollisti Hasani. Para tyre, administratori I klubit Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima, kanë dashur të mësojnë se çfarë ka ndodhur më konkretisht. Ideja paraprake ka qenë ajo e pezullimit për një afat të caktuar të lojtarit por pas sqarimit të gjërave, palët kanë dalë në një konkluzion tjetër. Ndërhyrja e Hasanit nuk është konsideruar e qëllimshme dhe për rrjedhojë është kaluar vetëm me një paralajmërim. Njëkohësisht, drejtuesit e klubit dhe trajneri Duro I kanë kërkuar lojtarit që në seancën e pasdites, para gjithë skuadrës të kërkonte falje për atë çfarë kishte ndodhur dhe stërvitja do vazhdonte normalisht për të ashtu si për gjithë futbollistët e tjerë. Paralajmërimi I është dhënë tashmë atij. Raste të tilla natyrisht që nuk duhet të përsëriten më, edhe nëse ndodhin pa dashje sepse krijojnë një klimë aspak të mirë në skuadër.
Konkurrenca. Nëse ka patur një përplasje në mes Hasanit dhe Hysës, kjo nuk ka ndodhur ngaqë të dy ata luajnë në të njëjtin pozicion në fushë dhe mbase konkurrenca për ta zënë atë, mund të sjellë edhe lojë të rëndë në stërvitje. Në fakt, në këtë mes ka diçka. Disa prej lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës sezonin e kaluar, nuk e kanë pritur mirë faktin që tetë blerjet e bëra në merkaton e verës konsiderohen si lojtarë titullarë dhe ata vetëm rezerva.  Nga kjo situatë, edhe Sykaj kërkoi me ngulm të largohej e po ashtu edhe Gocaj. Të dy këta futbollistë duke mos e pranuar stolin, kanë preferuar të largohen dhe drejtuesit e klubit për të shmangur problemet që mund të krijojnë. Nëse ata kanë ikur, ka edhe të tjerë që mund të kenë të njëjtat pretendime megjithatë trajneri Duro, për të qenë I sinqertë me të gjithë, ua ka bërë të qartë futbollistëve se titullarë do jenë vetëm ata që do ta demostrojnë këtë gjë në fushën e lojës dhe ai nuk do niset nga emrat. Rasti “Hasani” mund të shërbejë për mirë në këtë mes për të treguar se tek Vllaznia ekziston harmonia dhe bashkëpunimi.
Gjergj KOLA