Personazhi i këtij shkrimi është shumë i veçantë. Jo thjesht sepse po fiton në ring ndaj çdo boksieri që i del përballë, por për shumë arsye të tjera. E kemi fjalën për Xhuzepe Jaka, 17 vjeçarin që ka synime shumë ambicioze në boksin profesionist, por jo vetëm aty.

Mbrëmë ai fitoi sërish në ringun e “Qazim Dervishit” ndaj nigerianit me shumë përvojë Kabiru Towolawi. Padyshim një fitore me shumë peshë dhe që “i jep krahë” për vazhdimin e mëtejshëm në ringun profesionist. Një karrierë që e ka nisur si pakkush tjetër në këtë moshë dhe sigurisht me shumë plane për më tej.

Karriera e tij ka nisur në mënyrën e duhur. Në nëntorin e vitit të kaluar, pikërisht në Durrës, ka korrur suksesin e parë në boksin profesionit duke mundur boshnjakun Adis Hrustic. Pas tij e kishin rradhën Goran Panic, Ajdin Vranesic, Milos Janjanin, Vanja Dumitrov dhe mbrëmë afrikani Kabiru Towolawi. 6 ndeshje- 6 fitore, madje 4 prej tyre me KO. Një start i shkëlqyer i këtij djaloshi me ëndrra të mëdha në boks dhe jo vetëm.

Por sot në këtë shkrimi nuk do të ndalemi thjesht tek Xhuzepe boksier. Ai ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij ka ëndrra të mëdha përpara dhe madje i ka bërë edhe planet se si do t’i realizojë. Ai shumë shpejt do të vijojë studimet në Universitet, madje e ka zgjedhur edhe degën ku do të vijojë me studimet, në Inxhinieri, por planet e tij të ardhshme janë për të qenë edhe një biznesmen i suksesshëm.

Dhe në fakt ka kujt t’i ngjajë sepse Xhuzepe është djali i Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Dhe i ati jo vetëm e ka përkrahur në zgjedhjet e tij të deritanishme, por e ka përkrah në çdo hap të tij të jetës.

Po çfarë dëshiron të bëhet më shumë në të ardhmen Xhuzepe, një boksier i madh apo një biznesmen i suksesshëm? Përgjigja e tij është shumë interesante: “Dëshira ime e madhe është që një ditë të bëhem kampion bote në peshat e rënda. Por me ndihmën e Zotit shpresoj që të njihem përveçse si një boksier i madh, edhe si një biznesmen i suksesshëm. Kjo mund të arrihet me punën që do të hedhë që tani dhe në vazhdim, për të qenë një person i njohur edhe si sportist, por edhe si biznesmen”.

Për më shumë mund të dëgjoni rrëfimin e këtij boksieri 17 vjeçar duke vizituar kanalin zyrtar të “Shkodra Sport” në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm: