Historia e futbollit shkodran ka treguar se emrat që kanë kontribuar dhe ata që e kanë nderuar me veprat e tyre, janë të shumtë, teksa njëri prej tyre është padiskutim edhe Astrit Hafizi.
Një emër i madh jo vetëm për Shkodrën, por edhe për Shqipërinë. Një futbollist virtuoz dhe i tillë është shfaqur edhe si trajner i suksesshëm i Vllaznisë dhe i Kombëtares së Shqipërisë në vitet 1997-1999. Ai është edhe ish-futbollist i klubit të Vllaznisë.
Hafizi ka lindur në Shkodër më 15 shtator 1953, teksa sot është në moshën 68-vjeçare dhe me futbollin do të angazhohej që në moshë të vogël. Ndërkohë më pas, do të udhëtonte drejt Tiranës për të kryer studimet në shkollën e Mjeshtrisë Sportive dhe Insitutin e Fiskulturës, duke luajtur njëkohësisht për ekipin e Shkëndijes së Tiranës, në vitet 1968-1975.
Hafizi u afrua te Shkëndija e Tiranës nga Zyber Konçi, por u urdhërua të kthehej në Shkodër. Më pas, ai kthehet në Shkodër dhe i bashkohet Vllaznisë në vitin 1976, duke dhënë kontributin e tij në atë brez të shkëlqyer futbollistësh për arritjen e disa sukseseve.
Megjithatë, në vitin 1976, ai u huazua përkohësisht te Dinamo, për të luajtur për ta në Kupën e Ballkanit. Ai luajti të dyja ndeshjet në shtëpi kundër Dinamo Zagrebit dhe Ethnikos, por u përjashtua papritur nga skuadra për ndeshjet jashtë fushe dhe më pas u rikthye te Vllaznia. Më vonë, ai luajti edhe me Luan Vukatanën për 17-Nëntorin, në Kupën e Ballkanit kundër Larisës.
Ndërkohë, me fanellën kuqeblu të veshur, Hafizi do të shpallej kampion në sezonin 1977-1978 dhe 1982-1983. Njëkohësisht, ka fituar edhe dy Kupa Shqipërie, në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981.
Kur Vllaznia e la të lirë në moshën 31-vjeçare, sepse kërkonin një skuadër të re, klubi e bindi të bëhej trajner dhe ai u bë trajner i klubit një vit më vonë, duke zëvendësuar Ramazan Rragamin. Kështu, pas lënies së sportit, ai do të niste menjëherë karrierën e trajnerit, duke marrë drejtimin e Vllaznisë, të cilën do ta drejtonte për 10-vite me rradhë, nga 1985 deri më 1995. Gjatë këtyre viteve, ka fituar Kupën e Shqipërisë me të, në sezonin 1986-1987 dhe titullin kampion në sezonin 1991-1992.
Ndërkohë, në nëntor të 1987, Hafizi u pezullua për dy vjet nga regjimi komunist për rolin e tij në një dezertim të futbollistëve të Vllaznisë, Lulëzim Bërshemi dhe Arvid Hoxha në Athinë, pas një ndeshjeje të Kupës Europiane në vitet 1987–88. Ai, së bashku me kapitenin e klubit, Ferid Rragami dhe dy anëtarë të stafit, u nisën për të punuar në Pult, si mësues shkolle dhe u kthye në Shkodër 6 muaj më vonë, pasi drejtuesit e Partisë Komuniste thanë se ai “kishte mësuar nga gabimi i tij”. Ai u pezullua edhe një herë nga autoritetet në vitin 1991 për një incident në Londër me ekipin U-21 të Shqipërisë.
Pas Vllaznisë, do të merrte drejtimin e Kombëtares Shpresa, në vitet 1996-1997, ndërsa nga viti 1997 deri më 1999, ka drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. Në vitet më pas, ka provuar të drejtojë sërish ekipe të kampionatit shqiptar si Dinamo, Vllaznia dhe Tirana, por ai hoqi dorë shpejt dhe për shumë vite me rradhë, ushtron rolin e opinionistit në TV, gjë që e bën edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë, në jetën personale, kunati i Astrit Hafizit është Hysen Dedja, i cili gjithashtu ka luajtur dhe drejtuar për Vllazninë.
Për gjithë këto kontribute, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Vllaznisë, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, e ka nderuar Astrit Hafizin me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. Jetë të gjatë profesor Astrit Hafizi!
Maringlen ZHIVANI