Nëse flasim për çiklizmin në Shkodër, vërtetë që banorët e këtij qyteti kanë me se të krenohen ngaqë pjestarë të denjë të tillë kanë organizuar të parin Rreth Çiklistik që në vitin 1925, Rreth që tashmë ka hyrë si I pari në Europë për amatorët.

Por nëse ecim më tej, emri I parë që I ka bërë shkodranët me sukseset e tij në këtë sport, është padyshim Fadil Muriqi.

Ai ka lindur në Tuz të Malit të Zi më 6 maj 1929 e më pas familja e tij do të vendosej në Shkodër, qytet ku dhe mbylli sytë 80 vjet më vonë. Fadil Muriqi do të mbetet gjithmonë në historinë e çiklizmit sepse jo vetëm ishte vetë një kampion, por u rrënjosi dëshirën për t’u marrë me këtë sport edhe tre pjestarëve të tjerë të familjes së tij.

Ai është kampion i padiskutueshëm i çiklizmit në vitet ’50 duke dominuar në shumë gara të zhvilluara. Katër rrethet çiklistike që Fadili ka fituar në vitet 1950-53 janë një tregues i talentit dhe klasit të lartë që ai zotëronte. I vlerësuar si një ndër “Sportistët e Shekullit” në Shkodër, me rastin e festimit të 100 vjetorit të klubit Vllaznia, është nderuar edhe me titullin e lartë “Krenaria e Qytetit”.

Të gjithë këto tituj sigurisht që I ka merituar dhe jo vetëm aq. Nderimi që u duhet bërë figurave të tilla duhet të jetë më i madh. Në të gjitha drejtimet dhe jo vetëm kur ata largohen nga kjo botë.

Familja Muriqi si askush tjetër përmbi 60 vjet ka dhënë gjithçka të tyren për këtë sport me katër pjestarët e saj, Fadili, Ganiu, Ruzhdia dhe Fuati. Nëse çiklizmi në Shkodër personifikohet me familjen Muriqi, merita është e gjitha e Fadilit.

Si djali më i madh i kësaj familje, ai ushqeu pasionin për çiklizmin edhe tek dy vëllezërit e tjerë, Gania dhe Ruzhdia. Të dy ata e pasuan në rrugën e bukur edhe si sportistë por edhe si trajnerë. Madje përpos tyre, edhe i nipi, Fuati që dha edhe jetën në krye të detyrës duke drejtuar ekipin në stërvitje.

Fadil Muriqi është ndarë nga jeta më 28 nëntor 2009, por do të mbetet gjithmonë I gjallë në historinë e çiklizmit shkodran dhe shqiptar, si një nga korifenjtë e tij.
Gjergj KOLA